Mandati i tretë për vazhdimin e betejave të nisura/ E ardhmja që duam nuk ndërtohet me rikthimin e fantazmave të së shkuarës në pushtet

TIRANË, 3 mars/ATSH/ “Shqipëria sot është shumë më mirë se dje, por nuk është ende ajo që doni dhe besomëni nuk është ende ajo që unë dua. Prandaj kërkoj mandatin e tretë se po të ndihesha i kënaqur nuk do të isha këtu, por nuk mund t’i lë në mes gjithë këto beteja dhe punë në vazhdim”.

Në fjalën e tij në takimin “Rruga drejt 25 Prillit – Drejtësia që duam”, Kryeministri Rama tha se, “nuk ka diskutim se në çdo drejtim ne kemi bërë progres të madh gjatë këtyre 7 viteve, por  pa asnjë diskutim progresi i tërë deri këtu nuk mjafton. Nuk ju mjafton juve dhe nuk ka sesi më mjafton mua progresi në shëndetësi, arsim, infrastrukturë, në bujqësi, siguri, në ekonominë e familjes së zakonshme shqiptare jo e jo,  ky progres mjafton vetëm në një gjë, por me shumë rëndësi, garancinë që ne dimë ku duam të arrijmë dhe sigurinë se ne dimë të arrijmë aty ku duam”.

Kreu i qeverisë u shpreh se, “jam tejet i vetëdijshëm se në të gjitha fushat që lidhen drejtpërdrejt me jetën tuaj, me të ardhurat tuaja, me shëndetin tuaj, me arsimin e fëmijëve , me ushqimin e shëndetshëm të familjes tuaj, me kujdesin për të sëmurët apo për të moshuarit, me kënaqësinë e të jetuarit në vendin tonë të përbashkët”.

“Ka ende sa të duash probleme për t’i zgjidhur dhe ka akoma halle për tu adresuar. Por dua që të gjithë së bashku të jemi të vetëdijshëm njësoj si për dritën e mëngjesit se teksa koha vrapon, vitet kalojnë, durimi sforcohet, e ardhmja që duam nuk ndërtohet as me receta çudibërëse elektorale, as me rikthimin e fantazmave të së shkuarës në pushtet”, – nënvizoi Rama, duke shtuar se ndërtohet me besim të palëkundur tek Shqipëria dhe me punë të palodhur për Shqipërinë.

Kryeministri Rama tha se, “sot duke rreshtuar temat për të cilat dua t’iu flas në vigjilje të kësaj fushate dhe përpara shpalosjes së vizionit Shqipëria 2030 zgjodha të parën kryefjalën një temë themelore, që më duket se ka kaluar në plan të dytë së fundmi në bisedat tuaja. Mbase do të çuditeni, por kjo temë nuk është as shëndetësia, as arsimi, as infrastruktura, as bujqësia, as turizmi, madje kjo temë nuk është as vetë ekonomia”.

“Kjo temë është drejtësia. Këto zgjedhje lidhen në radhë të parë me fatin e drejtësisë në Shqipëri për një kohë të gjatë pas 25 prillit, mbase për më shumë se një dekadë të tërë. E di mirë që jeni lodhur duke pritur me dekada drejtësinë që ju meritoni dhe që ne shumica e sotme Partia Socialiste duam për Shqipërinë. Për çdo qytetar të këtij vendi, që unë dua për fëmijët tanë pa dallim në radhë të parë. Jemi lodhur me padrejtësitë që vazhdojnë dhe me ndjenjën shkuarjes të pandëshkueshmërisë për ata që ju mendoni se nuk meritojnë vend tjetër veç bankës së të akuzuarve për zullumet që kanë bërë dhe që bëjnë e sot e gjithë ditën sidomos për ata që kanë kostum, kanë kravatë dhe flasin e veprojnë nga maja të ndryshme prej ku duken se janë të paprekshëm pavarësisht atyre që kanë bërë dhe bëjnë”.

“Por kjo lodhje sado njerëzore e kuptueshme, e mirëkuptueshme është sot këshilltari më i keq në rrugën për të arritur drejtësinë që duam. Madje ajo është armiku numër një i së nesërmes së sigurt të drejtësisë, sepse kjo lodhje, kjo mërzi, kjo pakënaqësi kaq e vërtetë të thelb mund t’iu çojë në drejtimin më të gabuar të mundshëm në zgjedhjen tuaj në 25 prill”, – tha Rama.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.