Mandati i tretë për “Drejtësinë që duam”/ Më 25 prill, më shumë se për çdo gjë tjetër, do të vendoset për fatin e drejtësisë

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, më 25 prill më shumë se për çdo gjë tjetër do të vendoset për fatin e drejtësisë.

Duke folur në aktivitetin “Rruga drejt 25 Prillit – DREJTËSIA QË DUAM”, Kryeministri Rama u shpreh se, “dua t’u them të gjithë të pakënaqurve, të gjithë të pavendosurve, të çfarëdo kahje dhe bindjeje, se më 25 prill, më shumë se për çdo gjë tjetër, do të vendoset për fatin e drejtësisë. Fatin e drejtësisë, i cili dukej i shenjuar njëherë e mirë, deri kur ne ndërmorëm me kurajo rrugën me plot të panjohura të kësaj reforme”.

“Do të vendoset për sesi do ta kenë fytyrën nesër gjykatat dhe prokuroritë, jo në 4 vitet e ardhshme, por në dekadat e ardhshme”, tha Rama.

“Në këtë pikë, tek drejtësia, zgjedhja është më e qartë se në çdo pikë tjetër, sepse tek drejtësia, ndarja mes palëve është më e thellë, është më e qartë, është më e prerë sesa tek çdo temë tjetër”, u shpreh Rama.

Kreu i ekzekutivit nënvizoi se, “tek drejtësia nuk ka më mirë dhe më keq, si tek të gjitha fushat e tjera kur bëjmë krahasimin mes palëve. Tek drejtësia ka ose shumë mirë ose shumë keq”.

“Nëse ne nuk do e justifikojmë mandatin e tretë, pas 4 vitesh ju mund ta rishikoni vendimin tuaj, por nëse ju nuk e justifikoni me pjesëmarrjen tuaj masivisht në votime nevojën e drejtësisë së re për mbrojtjen dhe për mbështetjen tuaj, sot. Atëherë, ky fëmijë, që sapo ka lindur pas aq shumë vitesh të stërmundimshme do të ketë vdekur pas vetëm 4 vitesh”, u shpreh Rama.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.