Kukës/ Pas mjekëve dhe infermierëve, nis vaksinimi antikovid për moshat mbi 90 vjeç 


TIRANË, 3 mars /ATSH/ Në Kukës, paraditen e së mërkurës ka nisur vaksinimi antikovid për moshat mbi 90 vjeç.

Pas nisjes së këtij procesi në Kukës, për mjekët dhe infermierët, tashmë vaksinimi po vijon edhe për moshat mbi 90 vjeç.

Kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici, solli pamje nga ambjentet ku po kryet vaksinimi në Kukës, sipas të gjitha protokolleve të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“I lumtur pafund që filloi vaksinimi i moshave mbi 90 vjeç dhe në Kukës”, – u shpreh Gjici.

Kryebashkaku bëri të ditur se, gjatë ditëve në vijim vaksinimi do përfshijë dhe moshat e tjera të treta në gjithë bashkinë Kukës.

Në vendin tonë prej mbërritjes së dozave të para të vaksinave “Pfizer”, siç raportoi dje Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale janë realizuar 10135 vaksinime antikovid.

Pas Tiranës, vaksinimi antikovid po shtrihet në qarqet e tjera të vendit, nga jugu në veri.

“Brenda 15 marsit përfundojmë angazhimin tonë për vaksinimin e gjithë personelit mjekësor dhe vijojmë shtrirjen tek moshat e treta, mbi 80 vjeç, dhe kështu me radhë”, tha Manastirliu. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.