Kryemadhi: Inceneratori i Qarkut Tiranë aferë korruptive, padi në SPAK

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi publikoi sot disa dokumente lidhur me procedurën e ndjekur për Landfillin e Tiranës, që sipas saj është një aferë korruptive.

Në një deklaratë, Kryemadhi tha se, “me përgjegjësinë për të thënë të vërtetën dhe me bindjen e palëkundur timen që LSI ka zero tolerancë ndaj çdo afere korruptive, ka zero tolerancë ndaj çdo bashkëpunimi të institucioneve shtetërore me grupet mafioze. Ka zero tolerancë ndaj çdo grabitjeje që u bëhet xhepave të shqiptarëve. Prandaj jam sot këtu, për të denoncuar këtë aferë, bazuar e tëra në dokumente shtetërore, me firmë dhe me vulë, me korrespondencë ligjore, haptas, qartas, sesi shkelen totalisht ligjet e shtetit shqiptar, Kushtetuta, por më e rënda është se si tallen me shqiptarët dhe taksat e tyre, të cilët në mjerim vazhdojnë t’i paguajnë çdo ditë”.

Kryemadhi tha se këtë aferë do ta dërgoj në SPAK për të parë dhe identitetin e këtij institucioni. “Në gjithë këtë të vërtetë, unë sot do t’ia drejtoj Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ose siç e quajmë ne në kuadrin e Reformës së re në Drejtësi, SPAK-ut, dhe shpresoj që identitetin dhe dinjitetin e këtij institucioni ta shikoj në vazhdim”.

“Një kallëzim penal që unë si Monika Ramazan Kryemadhi ia drejtoj SPAK-ut për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj, sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjël Agaçi, ish-sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit, Alçi Bllako që sot është drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellësit dhe Mbetjeve Urbane. Kallëzimi për veprën penale ‘shpërdorim detyre’”, tha ajo duke shtuar se ky kallëzimi penal është i argumentuar në bazë të dokumenteve që publikoi.

Kryemadhi shpjegoi të gjithë procedurën e ndjekur, nga momenti kur ‘Integrated Energy’ shpreh letër interesi për ndërtimin e një landfilli, te fakti që Ministria e Mjedisit i kthen përgjigje për 4 ditë dhe deri te ngritja e komisionit të përbashkët me Bashkinë e Tiranës.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.