“Koalicioni PD-LSI në shërbim të interesave të kryetarëve të vërtetë të opozitës”/ Xhaçka: I përmbushëm kushtet për mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se, Shqipëria i ka përmbushur kushtet për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, Shqipëri-BE.

Në një intervistë televizive e pyetur në lidhje me vizitën në Bruksel Xhaçka tha se, në takim u fol për kushtet që Shqipëria i ka përmbushur. “U fol për aspiratën dhe perspektivën europiane dhe qëndrimi i tyre ishte i qartë që i kemi përmbushur kushtet dhe meritojmë që të avancojmë integrimin”, tha Xhaçka.

“Hapi tjetër pa diskutim është që mundësisht brenda Presidencës portugeze Shqipëria të ketë mundësi të miratojë kornizën e saj negociuese dhe të vendosë datën për Konferencën e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së”.

“Ky ka qenë në fakt qëndrimi i Komisionit Europian, por është edhe qëndrimi i partnerëve, i aleatëve, i anëtarëve të BE, me të cilët kam qenë në kontakt gjatë gjithë kësaj kohe. Ky është një proces meritokratik. Shqipëria i ka bërë detyrat e saj dhe sigurisht presim që BE-ja tani të mbajë premtimin që i ka bërë vendit tonë. Presim Konferencën e Parë Ndërqeveritare”, tha Xhaçka.

Xhaçka theksoi se, “institucioni përgjegjës për të vlerësuar avancimin e Shqipërisë në përmbushjen e të gjitha kushteve për të ecur përpara në rrugën e integrimit është Komisioni Europian dhe nëse KE thotë qartazi, prerë dhe shumë shkoqur që Shqipëria i ka bërë të gjitha detyrat e saj, duke e përgëzuar atë për reformën në drejtësi, për reformën zgjedhore, për reformën administrative, për të gjitha ligjet përafruese me ato të BE-së, pra për gjithçka që Shqipëria ka bërë në këtë periudhë, unë nuk besoj se ka vend që komente alternative të sjellin një vizatim apo një pikturë tjetër të situatës. Ky Komisioni është institucioni përgjegjës, Komisioni e tha fjalën e vet krejt hapur edhe krejt të drejtpërdrejtë”.

Xhaçka tha se, “jam e sigurt se PS do të arrijë të marrë 71 mandate dhe do arrijë të marrë edhe më shumë se aq, sepse kjo qeveri ka punuar për njerëzit dhe me njerëzit, pavarësisht këtyre dy viteve kaq të vështira”.

Xhaçka u shpreh se këto vite janë shoqëruar me pasojat e tërmetit dhe pandemisë, por theksoi ajo, “kemi bërë më të mirën e mundshme në këto kushte kaq të vështira dhe jam bindur që njerëzit e shohin dhe e vlerësojnë një përpjekje titanike për ta përballuar këtë situatë kaq të vështirë”.

Sa i përket koalicionit PD-LSI, Xhaçka tha se, “e shikoj në fakt si një përpjekje për të vënë kryetarin e opozitës në shërbim të interesave të kryetarëve të vërtetë të opozitës. Ndërkohë që PS marrëveshjen dhe marrëdhënien e ka me njerëzit dhe kështu do të jetë deri në fund”.

E pyetur për deklaratën e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i cili ka thënë se do të japë dorëheqjen dhe do të marrë drejtimin e opozitës nëse nuk fitojnë zgjedhjet PD dhe LSI dhe sa e cënon imazhin e Shqipërisë deklarata e tij se “i merr për veshi ndërkombëtarët”, Xhaçka u përgjigj se, “Presidenti ka zero kompetencë për gjithë sa thoni ju. Unë nuk e imagjinoj dot fare sesi mund të përfytyrojmë një situatë jashtë këtyre kontureve ligjore apo kompetencave të tij. Kështu që s’kam asnjë koment për këtë. Zero kompetencë për të bërë gjithë sa thotë”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.