Këshilli Mbikëqyrës miraton raportin vjetor 2020 të Bankës së Shqipërisë

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Në mbledhjen e sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi raportin vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2020.

Raporti vjetor përbën një detyrim ligjor të Bankës së Shqipërisë, me anë të të cilit realizohet llogaridhënia para Kuvendit të Shqipërisë dhe komunikimi me sistemin financiar, mediet dhe publikun.

Ai përbën dokumentin më të rëndësishëm që, në mënyrë transparente, informon Kuvendin mbi vendimmarrjen e Këshillit Mbikëqyrës dhe veprimtarinë e Bankës së Shqipërisë, në përmbushje të objektivave të saj institucionalë, monetarë, operacionalë dhe zhvillimorë.

Në raport, ndër të tjera, pasqyrohen: zhvillimet e përgjithshme makroekonomike në vend; politika monetare dhe ajo valutore e ndjekur nga Banka e Shqipërisë; zhvillimet në sistemin bankar dhe rreziqet potenciale me të cilat përballet stabiliteti financiar; aktiviteti mbikëqyrës, licencues dhe rregullator; aktiviteti i emisionit monetar, i sistemit të pagesave, statistikor, kërkimor, komunikues dhe ai i edukimit të publikut; administrimi i burimeve njerëzore; veprimtaria e kontrollit të brendshëm; objektivat afatmesëm të institucionit.

“Gjatë mbledhjes së sotme, Këshilli Mbikëqyrës shqyrtoi dhe miratoi shpërndarjen e fitimit të Bankës së Shqipërisë për vitin 2020.

Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera të lidhura me veprimtarinë e përditshme funksionale dhe operacionale të Bankës së Shqipërisë”, njofton BSH.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.