Hysi nuk do të garojë për deputete në zgjedhjet e 25 prillit: Krenare që bëmë realitet ëndrrën për Reformën në Drejtësi

TIRANË, 3 mars /ATSH – I. Vata/ “Krenare që kam qenë pjesë e Reformës në Drejtësi”, tha sot Nënkryetarja e Kuvendit, deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, e cila deklaroi se nuk do të garojë për deputete në zgjedhjet e 25 prillit.

Në fjalën e saj, Hysi tha se, “ishte kënaqësi që siç hyra 12 vite më parë në politikë me një ëndërr dhe dëshirë për të kontribuar për të drejtat e njeriut, për Reformën në Drejtësi dhe shumë reforma të tjera, sot bëj këtë dalje publike për të thënë se jam e nderuar dhe e respektuar se këto 12 vite, në një mandat në opozitë dhe dy mandate në pushtet, mundëm të bëjmë realitet një ëndërr që kemi patur të gjithë bashkë, Reformën në Drejtësi, të pronës në administratën publike, respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të luftës kundër diskriminimit”.

“Doja të sillja në vëmendje një takim shumë miqësor që kemi organizuar në zyrën tuaj, rreth asaj tavoline të bardhë për paktin kombëtar për drejtësinë, një kërkesë që ne ia drejtuam qeverisë me 10 pika dhe asnjëherë opozita e sotme nuk e pranoi për të bërë një pakt kombëtar për të gjithë. Në atë periudhë, në atë zyrë është bërë pakti dhe unë e kam gjetur në kompjuter të gjitha variantet. Një pakt i cili nga A-ja te ZH-ja, është përmbushur dhe për këtë ndihem krenare që iu bashkova PS-së, që kemi punuar bashkë që pikat e pakti të paraqitur më 24 tetor të 2012 ne i premtuam se kur të vijmë në pushtet do ta bëjmë. Dhe pikërisht në 2013 kur ju premtuat se do nisim reformë në drejtësi, atëherë ka qenë për mua, por dhe për çdo jurist dhe gjithë ekipin, ka qenë një nga nismat më të mëdha dhe më të jashtëzakonshme”, tha ajo.

Në vijim, Hysi shtoi se, “kam pasur privilegjin të jem anëtare në komisionin ad hoc në Komisionin e Reformës në Drejtësi dhe bashkë me kolegët kemi luftuar për ta bërë këtë reformë”.

“Sot jam shumë krenare që mundëm t’ia dalim sikurse parashikuam se kësaj reforme do t’i vendoseshin shumë shkopinj nën rrota dhe të gjithë e kuptuam se nuk do të ishte një betejë e lehtë, por ia dolëm. Ia dolëm se kjo reformë nuk u krye nga ne deputetët e PS, por u krye falë vullneti tonë nga shumë ekspertë, 140 profesionistë, ekspertë nga të gjitha universitetet, punonjës të praktikës, gjyqtarë, prokurorë, noterë, avokatë, media, shoqëria civile dhe për këtë do të thoja se për mua ka qenë një universitet i dytë. Kur filloi Reforma në Drejtësi unë kisha 30 vite përvojë në mësimdhënie, por vitet e Reformës në Drejtësi, më pas zbatimi i saj në mandatin e dytë qeverisës, ishin një shkollë e vërtetë, dhe besoj se shumë pak e kanë patur këtë privilegj për të kuptuar rrugëtimin që ka bërë PS për ta iniciuar reformën, megjithëse në opozitë. I kemi dhënë mazhorancës së asaj kohë për të bërë një pakt kombëtar për drejtësinë dhe ajo nuk ka pranuar, por ne ia dolëm”, tha ajo.

Në fund, Hysi tha se, “sot ndihem shumë e privilegjuar që kam qenë pjesë e kësaj reforme, që PS, strukturat, Ju zoti Kryeministër më keni besuar. Kam ardhur në politikë pa qenë pjesë aktive e politikës. Kryesova listën e Tiranës në 2009, dhe në tre mandate kam pas pozicione të mira në listën e PS. E dyta, keni mbështetur gra dhe vajza. E treta, që në skuadrën e PS-së në çdo zgjedhje kemi patur armatë të ripërtëritjes së PS-së”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.