FRANCË – Shpërbëhet grupimi i së djathtës ekstreme ”Generation Identitaire”

PARIS, 3 mars /ATSH-ANSA/ – Grupi francez i ekstremit të djathtë “Génération identitaire” (GI) u shpërbë sot me një vendim të miratuar në Këshillin e Ministrave, njoftoi ministri i Brendshëm, Gérald Darmanin.

“Shoqata nxit diskriminim, urrejtje dhe dhunë dhe kjo ndaj individëve për shkak të origjinës, racës dhe fesë së tyre”, shkroi Darmanin në Tëitter.

“Me formën dhe organizimin ushtarak, GI mund të shihet si një organizatë me karakterin e një milicie private”, thuhet në dekretin e qeverisë për shpërndarjen e grupimit.

Procedura për shpërbërjen e grupit, kundër së cilës protestoi me forcë partia “Bashkimi Kombëtar” i Marine Le Pen, nisi në mes të shkurtit nga ministri Darmanin, duke përmendur “lidhjet me grupe ultra të djathta nga të cilat GI merr mbështetje logjistike dhe që mbrojnë një ideologji që i referohet diskriminimit, dhunës ose urrejtjes në emër të teorive ose epërsisë raciste”.

Dekreti, gjithashtu, vë në dukje se shoqata ka marrë donacione nga australiani Brenton Tarrant, autor i sulmeve ndaj besimtarëve të dy xhamive në Christchurch, Zelanda e Re, që rezultoi në 51 vdekje në mars 2019./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.