Edhe Austria fillon vaksinimin me “AstraZeneca” për mbi 65-vjeçarët

VJENË, 3 mars /ATSH-DPA/ – Banorët austriakë të moshës 65 vjeç e lart do të vaksinohen me vaksinën antiCOVID-19 të “AstraZeneca”-s, pavarësisht pretendimeve fillestare për mungesë të dhënash në lidhje me efikasitetin e saj midis të moshuarve, njoftuan sot autoritetet shëndetësore.

Vendimi vjen vetëm pak pasi Franca zgjeroi përdorimin e vaksinës për personat midis 65 dhe 75 vjeç.

“Aktualisht, bëhet fjalë për shpejtësi dhe ne e dimë që vaksina “AstraZeneca” është gjithashtu efikase midis personave të moshuar”, tha për gazetarët Michael Binder, drejtori mjekësor i Shoqatës së Spitalit të Vjenës.

Gjithashtu, sot, qeveria austriake tha se një shpërthim i variantit afrikanojugor i COVID-19 në shtetin austriak të Tirolit do të luftohet nëpërmjet një vaksinimi masiv./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.