COVID-19 – Republika Çeke e treta në Europë për numrin e infektimeve të reja

PRAGË, 3 mars /ATSH-ANSA/ – Pas Francës me më shumë se 149 000 raste dhe Italisë me 112 000, Republika Çeke është vendi europian që ka regjistruar numrin më të madh të infektimeve me COVID-19 (82 000) në javën deri më 28 shkurt, shtatë ditë që kanë shënuar një rritje të fortë të infektimeve në të gjithë Europën Qendrore dhe Lindore, sipas bilancit të fundit epidemiologjik të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Republika Çeke ka një prej përqindjeve më të larta të infektimit në botë dhe ka kaluar pragun e 20 000 të vdekurve që prej fillimit të epidemisë.

Këtë javë Praga është kthyer drejt Rusisë për të verifikuar mundësinë për marrjen e vaksinës Spoutnik V.

“Vaksinat nuk kanë ideologji”, deklaroi presidenti çek, Milos Zeman, i cili shtoi se Republika Çeke do të pranonte gjithashtu Sinopharm kineze, ndërkohë që vaksinat e miratuara nga BE po administrohen ngadalë.

Pas Hungarisë, shtete të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, ashtu si Austria dhe Sllovakia, tani po lëvizin në të njëjtat linja, me këtë të fundit që kanë marrë dozat e para nga Moska.

Sipas buletinit javor të OBSH-së, 432,726 raste të tjera të koronavirusit (+ 26,3% krahasuar me javën e kaluar) dhe 9,351 vdekje të reja (-0,8%) u raportuan nga vendet e Ballkanit dhe Europës Qendrore-Lindore në javën deri më 28 shkurt duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve që nga shpërthimi në rajon në 11 354 204 raste./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.