COVID-19/ Brataj: 56.3 % e kapaciteteve spitalore të mbushura, 533 pacientë trajtohen në banesë

TIRANË, 3 mars /ATSH/ Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, dr. Skënder Brataj ka reaguar ndaj një infomacioni të publikuar në rrjetet sociale mbi numrin e të prekurve me kovid në vend dhe situatën në spitalet kovid.

“Statusin e vendosi dr. Martin Mano, i cili nuk kishte gjetur vend pune në vendin fqinj Itali dhe erdhi në Shqipëri. Edhe pse ishte nga Korça shkoi atje duke marrë edhe bonusin e Ministrisë së Shëndetësisë, 1.000.000 lekë plus rrogën për disa muaj. Sapo gjeti vendin në Itali, iku i revoltuar nga Shqipëria dhe ka filluar fushatën e denigrimit të kolegëve nga aty ku është”, shprehet Brataj.

Sipas tij, “Dr. Taulant Muka nëse ankohet ka motivet e tij, por ju nuk ia dhatë mundësinë, ndërsa këtij patrioti të madh po! Dr. Alimehmeti komentoi shifrat dhe është nga specialistët më të mirë të kësaj fushe. Nuk e kam parë asnjëherë nëpër cepa, diskutoj me të me kënaqësi shpeshherë. Sikur partitë politike të ofronin specialistë të tillë në radhët e tyre, do të isha shqiptari më i lumtur”.

“Po sqaroj edhe një herë, që nuk po mbroj askënd, se mos i ngelet merak dr. Elona Cekanit! Unë do vazhdoj të mbroj bluzat e bardha që përbëjnë sistemin shëndetësor. Statuset i bëj rrallë, por të gjata që ta kuptojnë të gjithë. Kohën time di ta administroj shumë mirë. Ndoshta doktoreshë duhej të revoltoheshit edhe më parë jo vetëm për të afërmit tuaj! Unë shqetësohem për të gjithë pacientët!” – theksoi ai.

Brataj bën të ditur se incidenca dyjavore është 495 raste nga 525 të infektuar për 100.000 banorë. Incidenca njëjavore nga 1112 kaloi në 905 javën e fundit. Indeksi spitalor javor nga 17 në fillim të shkurtit në 8 në javën e fundit të muajit shkurt. Numri i thirrjeve drejt 127 nga 2.500 zbriti nën shifrën 2.000 në 24 orë.

Numri i vizitave në banesë nga urgjenca 127 nga 550-600 në ditë, dy javët e kaluara po zbret poshtë 500. Numri të shtruarve në spital nga 127 ka qenë mbi 100 në ditë, në këtë moment ka zbritur në 83.

“R=0.96, qenka më i mirë se Zvicra thotë doktoresha! Mos u habit doktoreshë, nuk i nxjerr unë, nuk i nxjerr Shqipëria, i nxjerr OBSH dhe Universiteti i Harvardit këto përllogaritje”, polemizoi Brataj.

“Dr. Erjon Panajoti, dr. Elona Cekani dhe kush e mendon ose llogarit si ju, mesa duket matematikën e paskeni opsion! Po ju bëj dy llogari të thjeshta, që të mos i harroni dhe të mos flisni broçkulla si këtu, si në televizione! Ndoshta ju dhe dikush tjetër nuk i paskeni të qarta si përllogariten shifrat!!” – theksoi Brataj

Sipas tij, standartet ndërkombëtare sipas WHO, ECDC dhe CDC. i llogarisin kështu të sëmurët: 20 % e të infektuarëve aktivë do të jenë të sëmurë. Pra kemi 35.815 të infektuar aktivë në Shqipëri. 20 % e tyre do të jenë pacientë. Pra 7163, nga të cilët 80 % janë me formën e lehtë dhe të mesme që trajtohen në banesë, që do të thotë 5730 pacientë.

Mbeten 20 % e të sëmurëve, 1433 që janë format e mesme dhe të rënda që kanë nevojë për shtrim spitalor.

“Në spitale aktualisht janë rreth 700 pacientë të shtruar. Te privati 200 të shtruar sipas jush! Atëherë 533 pacientë që duhet të jenë të shtruar në spital i bie që po trajtohen në banesë”, theksoi ai.

Brataj bën të ditur se, nëse do të ishin në spitale të gjithë duke përjashtuar edhe spitalet private, pra 1433 të sëmurë, ne do të kishim të lira 167 shtretër të lirë nga 1.600 që kemi në dispozicion të kovidit. Duke hequr 200 të privatit do të ishin (janë) realisht 367 shtretër. Do të thotë që do të ishin të mbushura 77.1 % e burimeve spitalore në shtretër.

Ndërsa aktualisht, nënvizon ai, duke qenë se po i tmerroni qytetarët janë të zëna 56.3 % e kapaciteteve spitalore! 533 pacientë që kanë nevojë për spital, por trajtohen në banesë, të cilët shumë herë ndiqen nga urgjenca 127, mjeku i famijes ose sipas zgjedhjes së tyre, privatisht.

“Pra bomba, katastrofa, pendesa, përgjegjësitë tregojani njëherë vetes tuaj me panikun që po shpërndani, me gënjeshtrat që po i bëni me orientim ose jo, për mungesë njohurish, apo çfarëdolloj arsyeje tjetër, jepini grupit dhe shqiptarëve një përgjigje”, shprehet Brataj.

“Ku është pseudoshkenca? Ky është lincim që u munduat të bëni”, theksoi ai.

“Thuajini kush është patetik dhe ku janë 5.000-6.000 pacientë në banesë që kanë nevojë për spital?” – shprehet dr. Skënder Brataj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.