BRUKSEL – Berlini hedh poshtë kritikat e BE-së për kufizimet e qarkullimit

BRUKSEL, 3 mars /ATSH-AFP/ – Gjermania hodhi poshtë kritikat e Komisionit Europian për kufizimet e vendosura në kufijtë e saj për të luftuar kundër përhapjes së koronavirusit, në një letër dërguar ekzekutivit europian.

Berlini vendosi në shkurt një mbyllje të pjesshme të kufijve me Republikën Çeke dhe Tirolin austriak, dhe kufizoi që prej të martës kalimet me rajonin francez të Moselles.

Në një letër për ambasadorin gjerman në BE, Michael Clauss më 22 shkurt, Komisioni Europian kishte kërkuar shpjegime për masat e marra në anën e Republikës Çeke dhe Austri duke theksuar se mbrojtja e popullit gjerman mund të garantohet nga masa më pak shtrënguese.

Clauss u përgjigj në një letër se kontrollet në kufi ishin të nevojshme kur rajonet me incidencë shumë të lartë kanë marrë masa më pak strikte se pala gjermane, duke përmendur gjithashtu përhapjen e varianteve në këto rajone.

Ambasadori shtoi se rekomandimet e miratuara nga vendet anëtare të BE parashikuan që kufizimet të ishin të mundshme në përputhje me parimet e proporcionalitetit dhe mosdiskriminimit dhe duke marrë parasysh situatën specifike të rajoneve kufitare./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.