“Barrikadë për bllokimin e reformës në drejtësi”/Koalicioni PD-LSI i imponuar nga Saliu dhe Iliri për ta lidhur Lulin me “zinxhirët” e Monikës

TIRANË, 3 mars/ATSH/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në aktivitetin “Rruga drejt 25 Prillit – DREJTËSIA QË DUAM”, se koalicioni paszgjedhor PD-LSI është një koalicion tragjikomik i imponuar nga Meta dhe Berisha.

“Keni parë koalicion më qesharak se sa koalicionit paszgjedhor i nënshkruar para zgjedhjeve mes dy partive që në zgjedhje hyjnë veç e veç. Ai në fakt është një koalicion tragjikomik i imponuar nga Saliu dhe Iliri për ta lidhur Lulin me “zinxhirët” e Monikës që të mos guxojë të iki i shkreti, duke i lënë ata të vetëm përballë reformës në drejtësi dhe pasojave krejt të mundshme të drejtësisë”, tha ai.

Sipas Ramës, “kur Ilir Meta thotë nëse fiton Edi Rama unë do të udhëheq opozitën, do të thotë unë do të ngrejë barrikadën me PD, LSI e “KÇK” brenda në Parlament për t’a bllokuar reformën në drejtësi”.

Rama tha se demokratët e ndershëm nuk mund të identifikohen me një Parti Demokratike ku janë mbledhur bashkë kuç e maç për të përmbysur reformën në drejtësi.

“Lulzim Basha është thjeshtë administrator i një shoqërie aksionere që nuk merr dot vendime për të ardhmen e shoqërisë. Si mund të identifikohen demokratët e ndershëm e të sinqertë të këtij vendi që kanë të gjithë të drejtën e Zotit që të mos duan të na shohin me sy, me një Parti Demokratike, ku janë mbledhur bashkë kuç e maç, jo për të përmbysur qeverinë që ka kusuret e saj, por drejtësinë e re që ne po ndërtojmë hap pas hapi dhe me ata të cilëve u kërkoj mbështetje që siç u bëmë pjesë e NATO-s, të bëhemi pjesë e BE-së”, vuri në dukje Rama.

Ai shprehu besimin se forca kundër reformës të bashkuar nuk do t’ja dalin, sepse halli i tyre nuk është i qytetarëve dhe hallet e qytetarëve, qofshin socialist, demokratë apo pa parti nuk mund të kthehen në votë për të zgjidhur hallin e tyre.

“Me 25 prill më shumë se për çdo gjë tjetër do të vendoset për fatin e drejtësisë”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.