Topalli prezanton kandidatë për deputetë në Lezhë: Një listë që për Shqipërinë e djeshme ka qenë një mirazh

TIRANË 2 mars/ATSH/ Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli prezantoi sot listën e kandidatëve për deputetë të kësaj partie në zgjedhjet e 25 prillit për qarkun e Lezhës.

Në fjalën e saj Topalli tha se, “është një listë që për Shqipërinë e djeshme ka qenë një mirazh, një listë e nxjerrë nga një sirtar që dukej se nuk do të hapej kurrë, një listë që bashkë me ekipin e LN e kemi pagëzuar si“ Ëndrrat e vendit tim”.

“Qëndroj sot, duke e ditur fort mirë që ëndrrat e të parëve tanë jetojnë këtu, tek kandidatët e sotëm, tek kandidaturat e Lëvizjes për Ndryshim. Jam sot përpara jush me sigurinë e plotë që historia e LN është pjesë e historisë së shumë njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm të këtij vendi, që unë i detyrohem një borxh të madh. Atyre që e projektuan Shqipërinë e së ardhmes dhe dhanë edhe jetën për këtë projekt dhe nuk ekziston një kohë tjetër përveç të sotshmes, që të fillojmë zbatimin e kësaj ideje me LN, me fytyrën e saj (që një pjesë është sot këtu), me dëshirën e mirë dhe me dashurinë më të madhe, me Zotin mbi ne dhe me sytë drejt Shqipërisë së nesërme, duke e ditur fort mirë që nuk ka një Shqipëri të mirë dhe një Shqipëri të keqe, por një Shqipëri të papërfaqësuar. Që nuk ka një Shqipëri të rilindjes apo një Shqipëri të republikës së re, por një Shqipëri të vjedhur”, – theksoi Topalli.

Më tej Topalli u shpreh se “bashkë me ekipin e LN me listat më të mira të kandidatëve të 3 dekadave, bashkë me shpresën e një punonjësi të administratës publike apo të bashkisë që më datë 25 Prill do të këndoj këngën e lirisë në kutinë e votimit, me shpresën e emigrantëve tanë që kur janë detyruar të ikin kanë menduar që një ditë Shqipëria do të bëhet vendi që ikën për të kërkuar, me shpresën e një djali të një punëtori të thjeshtë që guxon të sfidojë shanset, me shpresën e një gruaje e cila ka rënë pre e dhunës në familje dhe nuk ka gjetur mbrojtje e megjithatë beson se Shqipëria një ditë do të ketë vend dhe për të. Me shpresën e një kryefamiljari i cili edhe pse punon shumë fort nuk arrin ti sigurojë një jetë dinjitoze familjes së tij,e megjithatë e di mirë se ndershmëria është rruga. Me shpresën e një të riu që edhe pse ka kaq kohë që kërkon punë dhe nuk e gjen,e din mirë që do të vijë një ditë që do të vlejë meritokracia”.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.