Siguria ushqimore/ 279 inspektime dhe monitorime në të gjithë vendin

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Trupat inspektuese të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit vijojnë pandërprerë inspektimet dhe monitorimet në të gjithë vendin me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.

Sipas AKU-së, gjatë ditës së sotme janë realizuar nga drejtoritë rajonale të AKU-së 279 inspektime dhe monitorime.

“Gjatë kontrolleve zyrtare në operatorët e biznesit ushqimor janë dhënë 23 masa me paralajmërim kryesisht për rinovim të librezës shëndetësore, të planit 3D si dhe rinovim i analizave mikrobiologjike të ujit. Ndërsa janë marrë 31 mostra në monitorim të produkteve ushqimore”, bën të ditur AKU.

Gjithashtu, me kërkesë të vetë subjektit, AKU informon se u krye procedura e asgjësimit të 18 kg produkte ushqimore.

Në zbatim të Urdhrit “Për bashkërendimin e inspektimeve për zbatimin e protokolleve të sigurisë në kuadër të taskforcës antikovid” inspektorët e DRAKU-ve përveç monitorimeve të subjekteve kanë këshilluar 601 qytetarë për mbajtjen e maskave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Gjatë monitorimit në subjekte, u krye vëzhgimi mbi përdorimin e maskave nga punonjësit, si dhe këshillimi i përfaqësuesve të subjektit për ruajtjen e distancës së sigurisë gjatë blerjeve. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.