Seancë dëgjimore me kandidatët e përzgjedhur për 4 vende vakante në KDRTSH

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, nën drejtimin e nënkryetares, Mirela Kumbaro zhvilloi sot seancë dëgjimore me kandidatët e përzgjedhur për 4 vende vakante, për anëtarë të KDRTSH.

Pas miratimit të procesverbalit të datës 23 shkurt 2021, seanca dëgjimore nisi me kandidaten për anëtare në KDRTSH, Milena Selimi, më pas me kandidatin Albert Minga për të vijuar me kandidatët e radhës: Artan Puto, Suela Zalla, Thanas Goga, Luljeta Lleshanaku dhe Mikaela Minga.

Përpara anëtarëve të këtij komisioni kandidatët e përzgjedhur shpalosën platformën dhe dëshirën e tyre, për të qenë anëtarë në Këshillin Drejtues të RTSH-së.

Vizioni i gjithësecilit prej kandidatëve, konsistoi në përmirësimin dhe imazhin e një prej televizoneve më të rëndësishëm në vend për të qenë lider në tregun mediatik, informues dhe edukues për opinionin publik nëpërmjet programacionit të larmishëm. Seanca dëgjimore vijoi me pyetje dhe përgjigje nga anëtarët e këtij komisioni drejtuar kandidatëve. Në seancën e radhës së komisionit do të bëhet përzgjedhja e kandidatëve që do t’i propozohen për votim seancës plenare.

Mbledhja e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit ”Cisco Webex”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.