Revolucioni dixhital lehtësoi përballimin e situatës së tërmetit e pandemisë/ Qytetarëve u janë kursyer 14 milionë euro dhe 472 vite pritje nëpër radha

TIRANË, 2 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se në sajë të revolucionit dixhital qytetarëve shqiptarë u janë kursyer 14 milionë euro dhe 472 vite pritje nëpër radha.

Rama tha se konferenca e përjavshme me fokus ekonominë, e cila është edhe e fundit për këtë mandat, do të fokusohet tek aspektet më të rëndësishme të transformimit të ndodhur në këto vite, te revolucioni dixhital, përmes së cilit hap pas hapi po ndodh një proces transformimi rrënjësor i marrëdhënieve të shtetit me qytetarët.

“Po hidhen bazat e një sistemi të sigurt antikorrupsion në shërbimet për qytetarët dhe po sigurohet perspektiva e afërt e kalimit të Shqipërisë në një nivel tjetër realisht, për sa i përket funksionimit të brendshëm të shtetit dhe funksionimit të arsyes më të rëndësishme të ekzistencës së shtetit, marrëdhënies transparente, efikase, të drejtpërdrejtë me qytetarët”, tha Rama.

Rama kujtoi se, “dy goditjet e rënda që ne kemi marrë njëra pas tjetrës tërmeti dhe pastaj pandemia, nuk do të ishin përballuar dot ashtu siç janë përballuar, nëse ne nuk do të ishim në fazën e këtij revolucioni, që këto dy ngjarje të mëdha e gjetën Shqipërinë”.

“Parafytyroni vetëm për një çast se çfarë do të mund të bënim ne në momentin kur duhet të garantonim mbylljen e përgjithshme të 1 viti më parë. Nuk do të kishim mundësi që t’ju shërbenim të gjithë qytetarëve në nevojë për të dalë nga shtëpia. Përfytyroni sikur kjo fatkeqësi shumë e madhe të na kishte gjetur në kohën kur ky shtet kishte vetëm 1 % të shërbimeve online dhe vetëm 50 mijë përdorues të këtyre shërbimeve”, tha Rama.

Ndërkohë që sot, Kryeministri tha se, “nga 14 shërbime që ishin kur ne e nisëm këtë revolucion, kemi 1207 shërbime, dhe nga 50 mijë përdorues kemi 1.87 milionë përdorues”.

“Nga 51 mijë aplikime për shërbime online në vitin 2013, sot në vitin 2021 kemi 7.7 milionë. Nëse në vitin 2013 kishte vetëm 6 regjistra elektronikë me total 680 mijë transaksione, sot ka 55 databaza që shkëmbejnë informacion në kohë reale me 145 milionë transaksione, një numër ndërveprimesh online i rritur 211 herë”, tha Rama.

Nga ana tjetër, ai tha se, “kemi bërë një llogari dhe pa këtë revolucion deri në këtë fazë ku ka ardhur, ne apo më saktë qytetarët shqiptarë do të kishim konsumuar 472 vjet pritje nëpër radha. Pra janë shkurtuar 472 vjet kohë pritje nëpër radha si kohë e harxhua”.

Vetëm gjatë periudhës së pandemisë, Rama tha se “janë shërbyer 1.2 milionë subjekte dhe janë kursyer 293 vite pritje”.

“Dhe në total u janë kursyer qytetarëve përmes shërbimeve online 14 milionë euro, që do të kishin shkuar vetëm për tarifat minimale për dokumente në radhë, pa llogaritur kursimet e bakshisheve dhe ryshfeteve që ky sistem i asgjëson komplet, për ato shërbime që sot ne kryejmë”.

Rama tha se sot, “Shqipëria ka faktikisht 95 % të shërbimeve online, pra për 95 % të shërbimeve që ofron shteti shqiptar për qytetarët nuk ka nevojë të shkojnë në asnjë zyrë, të takojnë asnjë lloj personi, apo të lëvizin nga vendi”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.