TIRANË, 2 mars /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve zhvilloi seancë publike për shqyrtimin dhe miratimin e akteve në kompetencë të tij.
Pas shqyrtimit të projektvendimeve, Komisioneri vendosi të caktojë Zonën e Administrimit Zgjedhor nr. 40, në Bashkinë e Tiranës, si njësinë administrative për zbatimin e projektit pilot për procesin e votimit dhe numërimit elektronik të votave. ZAZ nr. 40 është e përbërë nga 32 qendra votimi.
Komisioneri vendosi gjithashtu të regjistrojë koalicionin “Partia Demokratike – Aleanca për Ndryshim” (PD-PR-PDIU-PAA-PBDNJ-PDK-LZHK-PLL-FRD-BDL-PBKD-PBDSH-PKD, shkronja nistore “PD-AN”.
Komisioneri vendosi të regjistrojë koalicionin “Aleanca”, me shkronja nistore “AL”.
Komisioneri vendosi të miratojë vëzhguesit afatgjatë të shoqatës “Për gratë dhe fëmijët” dhe të organizatës “Qëndresa qytetare” për vëzhgimin e zgjedhjeve për kuvend të datës 25 prill 2021.
Komiisoneri vendosi pranimin e kërkesës së Nismës Ligjvënëse të Zgjedhësve Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sistemit të Zgjedhjeve, për shtyrjen e afatit për mbledhjen e nënshkrimeve për projektligjin “Për referendumet në Republikën e Shqipërisë”.
Komisioneri vendosi të lirojë dhe emërojë anëtarët e KZAZ-së nr. 34, KZAZ-së nr. 37, KZAZ-së nr. 43, qarku Tiranë, të anëtarëve të KZAZ-së nr. 45, qarku Elbasan dhe KZAZ-së nr. 87, qarku Vlorë”.
Komisioni Rregullator shqyrtoi dhe miratoi projektvendimin “Për caktimin e personelit të kualifikuar për përdorimin e pajisjeve të teknologjisë së informacionit në qendrën e votimit”.
Vendimi përcakton kushtet për t’u përzgjedhur operator teknik, papajtueshmëritë me detyrën e operatorit teknik, procedurat për shqyrtimin e kërkesave, për trajnimin dhe testimin shtetasve të përzgjedhur, drejtimin, mbikqyrjen dhe monitorimin e këtij procesi nga Nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve .
Ndër të tjera, vendimi përcakton detyrat e operatorit teknik gjatë ditës së zgjedhjeve, nga hapja e qendrës së votimit dhe deri në mbylljen e votimit në qendrën e votimit, si edhe përgjegjësitë e operatorëve teknikë gjatë ushtrimit të detyrës.
/j.p/r.e/