Procesi i legalizimit falas që prej 2013-ës/ Lame-Bashës: Të kanë gënjyer ata që ke rrotull, me paratë që mblidhen kompensohen ish-pronarët

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame deklaroi se procesi i legalizimit që prej vitit 2013 është falas dhe paratë që mblidhen nga qytetarët janë fatura e truallit dhe këto para shkojnë për kompensimin e ish-pronarëve.

Në një reagim pas prezantimit nga kreu i PD-së të programit për pronat, Lame shprehet se, “me keqardhje detyrohem t’i them zotit Basha që e kanë gënjyer ata që ka rrotull”.

Lame sqaron se Basha dy ditë më parë në shpalosjen e programit të partisë së tij për pronën tha pikërisht atë që kisha thënë unë, pra që paratë e paguara t’u shkojnë ish-pronarëve.

“Por përtej këtyre, tha, i thashë, e tha, e thashë, për t’u mirinformuar mund të pyetet kushdo prej 21 mijë familjeve të legalizuara para vitit 2013, ose cilido prej 210 mijë familjeve të legalizuara pas vitit 2013”, – theksoi Lame.

Kreu i Kadastrës shprehet se, “legalizimet janë nga ato beteja të fituara që as ja vlen të debatohet. Ka ende shumë familje që e presin përfundimin e këtij procesi, ashtu sikundër ka edhe shumë gjëra për të cilat edhe unë vetë jam i pakënaqur, apo që duhej t’i kishim bërë më mirë. Por zor se gjen njeri që të thojë që “Aman kur do iki Edi, që të vijë Luli të më bëjë legalizimin!”.

Në një video të publikuar nga Kadastra Shqiptare sqarohet se, “referuar fushatës elektorale të kreut të PD-së, Lulzim Basha për “gënjeshtrat” e qeverisë sqarojmë se ALUIZNI per periudhën janar-gusht 2015, po ka arkëtuar 1.4 miliardë lekë. Lekë të mbledhura nga detyrimi që i mbetet qytetarëve që kanë ndërtuar në truall shtet ose me pronar, lekë të përdoruara për të paguar kompensimin e pronarëve të shpronësuar”.

Lame ka theksuar edhe më herët se e gjithë shuma e arkëtimeve ka destinacion pagesën e pronarëve të shpronësuar nga procesi i legalizimeve.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.