Nuk zbatuan masat antikovid/ Ndëshkohen me gjoba 866 shtetas


TIRANË, 2 mars/ATSH/ Patrullat e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë 24 orëve të fundit, kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 755 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 101 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë konstatuar 1 subjekt që ushtronte aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë. Për pronarin e këtij subjekti është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 9 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.

Në zbatim të masave antikovid, Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që të respektojnë orën policore, të vendosin maskën dhe të ruajnë distancimin social, ndërsa subjektet tregtare, lokalet dhe restorantet të respektojnë protokollet e sigurisë dhe orarin e mbylljes, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.