Nuk sulmon PS/ Kosova: Si u përjashtova nga Komisioni Ruli, i gatshëm të kontribuoj për Shëndetësinë për cilëndo forcë politike

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Mjeku njëkohësisht ish-deputet i Partisë Demokratike, Halim Kosova deklaroi sot se ishte i gatshëm të jepte kontributin e tij prej 40 vitesh si mjek pavarësisht se cila forcë politike do t’ia kërkonte këtë kontribut.

“Më vjen ndonjëherë ta marr Ramën në telefon dhe ti them ore ma lë mua këtë punë në dorë dhe ta zgjidh për 2 javë. Kovidi është një armik i fuqishëm dhe bluzat e bardha duhet të mobilizohen, nuk mjafton një komitet. Nuk zgjidhet me frymë të shpejtë, por them se janë kapacitet që nuk janë përdorur”, u shpreh Kosova.

“Pa diskutim që sistemi i shëndetësisë nuk ka parti, është gjëja që mua më pëlqen dhe që di të bëj më mirë. Te 15-katëshi kishim një mbledhje atje dhe Rama tha tani e ka radhën doktori, mjeku i nderuar Halim Kosova. Dhe unë bëra hapa pak nga pak që të arrija në kohë dhe shkova atje, por ai foli shumë. Ai foli aq shumë saqë unë ngela ashtu. Dhe po më dukej vetja si fëmijë prematurë. Rama ka bërë vlerësime profesionale për punën time dhe në PD kur nuk u vlerësova i thashë: më shumë më vlerësoi Rama që s’është këtu se sa ju që jeni këtu. Ia kam thënë njëherë në grup parlamentar këtë dhe qeshëm atje”, u shpreh Kosova.

Kosova foli mbi mënyrën se si u hoq nga drejtimi i Komisionit të Etikës në Partinë Demokratike.

Sipas tij, i gjithë pyetësori për zgjedhjen e figurave të partisë Demokratike është bërë në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane në Tiranë. Me plot gojë e them, vijoi Kosova se PD përdhosi një punë shumë profesionale në drejtim të këtij filtri të përzgjedhjes së figurave.

“Në qoftë se nuk do të më ndihmonte Ambasada Amerikane do të isha i vetmi që do të turpërohesha sepse nuk po dija si ta zgjidhja. Më ofruan një pyetësor të plotë që pas një pune të madhe arritëm aty ku e kishim. Në muajin gusht dëgjova zëra që komisionin do t’ia kalonin Rulit. Disa mesazhe për intervista në media për të folur rreth komisonit më bënë të shkoj të Basha. Synimi im ka qenë që PD të kishte një platformë që unë e kam quajtur vaksinim. Kjo do të ishte një lloj vaksine që në strukturat e PD nuk do të kishte persona të tillë“, tha Kosova.

Më tej, Kosova theksoi se Basha i kishte thënë që do ta thërriste, por që thirrja nuk erdhi deri në muajin tetor. Në këtë moment, vijoi Kosova, i kishte dërguar një mesazh kreut të PD-së ku i kishte paraqitur dorëheqjen nga politika.

“Basha më tha pse ma kë berë këtë mesazh, për largimin? Po i thashë erdha në PD si ministër në një kohë të keqe. I kam dhënë fjalën Berishës që po të kesh nevojë në kohë të vështira të vij të ndihmoj dhe e dyta; dua t’i tregoj njerëzve që mund të sjellësh ndryshimin duke bërë mirë”, u shpreh Kosova.

“Basha më tha mos u bë merak çfarë thotë komisioni, ti do e kesh vendin aty me mua deputet. Si e përkthej unë këtë: unë jam një lojtar që jam në formë të mirë për të luajtur, por s’mund të rri në stol, dua të futem në fushë. Nëse do ti të më mbash në stol që të mos jap rezultat, atëherë ai lojtar i mirë gjen ekip tjetër dhe ikën”, theksoi mjeku Kosova.

Ai u ndal edhe në një rast kur ishte deputet. “Erdhi puna në parlament, e mendova thjesht kështu. Më propozuan sekretar te Komisioni i Shëndetësisë. Unë sekretar te Komisioni i Shëndetësisë? Po kush është kryetar i thashë? Më thanë Albana Vokshi. Unë sekretar aty ku është kryetare Albana Vokshi? Jo më lër anëtar të thjeshtë, unë kam ardhur në PD për kontribute jo për poste”, tha Kosova.

Ndërsa nga listat e kandidatëve për deputet, sipas Kosovës, është larguar nga vota e Genc Rulit, Bujar Nishanit dhe një tjetër personi në PD.

“Për mua në PD thoshin s’është agresiv, le të ikë të bëjë punët humanitare. Nishani e ka thënë që ky s’na duhet më. Nëse ka dikush si puna ime, që 1000 lekë të vjetra s’mbaj mend t’i kem marrë, si ia lë ti dikujt të përfolur për fabrika, pra çfarë halli kanë që ia lanë dikujt tjetër. Një pyetje më rri në mendje: ku kam gabuar në PD që u bë kjo. E para PD ka bërë dy tavolina të rrumbullakta për shëndetësinë ku janë ftuar lloj njerëzish, dhe nga ato që marrin 2000 euro në punë shteti, dhe unë s’jam thirrur kurrë. Të më harrojnë? Se di a me dashje apo pa dashje. Çfarë ka Tritani me mua? Kur kam qenë ministër është po ky që ka ndërhyrë që unë të mbyll sytë për një tender korruptiv, për një ilaç për leuçeminë. Ky është i yni më tha, për atë personin. Edhe më erdhi personi në zyrë, më tha jo kështu po ashtu e i thashë: mos më vidh sa të jem unë këtu. Më sinjalizuan njëherë për një vjedhje në Gjirokastër, çova një ekip kontrollues dhe personi i parë që më erdhi ishte Ruli, e me tha ai është njeriu im, po t’i bësh gjë atij ma ke bërë mua”, tha Kosova.

Lidhur me planin pesëpikësh të PD-së për menaxhimin e pandemisë, Kosova tha se kur u mbush edhe fasada e sallës thashë: ky është program antiRama apo antikovid?!

“Nuk është se jam kundër atyre pikave. Por pse mos t’i ndash ato pika. Edhe e mban gjallë se nuk krijon idenë që po bën sulm politik. Duhet të ketë se s’bën një konsensus. Këtë punë ka në detyrë opozita”, u shpreh ai.

Duke u ndalur tek situata aktuale e pandemisë, Kosova u shpreh i  prerë për masa shumë shtrënguese. “Unë kam mendimin tim të prerë, që sa më shumë do rrokulliset kjo situatë pa masa drastike aq më e gjatë do jenë në kurriz të shqiptarëve, pasojat. Masat e prera për 2 javë do rrisin përmirësimin e situatës, jam i sigurt”, tha Kosova.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.