Më shumë vëmendje për gratë/ Buxhetimi për politikat e barazisë gjinore shkon në 9% të shpenzimeve buxhetit

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Realizimi i të drejtave të grave dhe i të drejtave të njeriut kërkon jo vetëm vëmendje ndaj pabarazisë dhe parimit të mosdiskriminimit, por edhe mobilizimin maksimal të burimeve të disponueshme.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se politikat buxhetore qeveritare kanë luajtur rol kryesor në arritjen e objektivave të barazisë gjinore

Sipas saj, buxhetimi për politikat e barazisë gjinore ka njohur rritje nga viti në vit.

“Nga 2.8 % e shpenzimeve buxhetore që ishte në vitin 2018 në vitin 2021 llogaritet 9 % të shpenzimeve buxhetore”, deklaroi ajo.

Buxhetimi i përgjigjshëm gjinor është një proces i vazhdueshëm që po zbatohet në të gjitha nivelet dhe fazat e procesit të politikave, pasi adresimi i pabarazive gjinore nuk mund të bëhet vetëm nëpërmjet formulimit të legjislacionit, programeve dhe skemave të ndjeshme gjinore. Alokimet e duhura monetare janë po aq të rëndësishme për arritjen e rezultateve të dëshiruara.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.