Marrëveshja PD-LSI, Vokshi: Synon fitoren në zgjedhje

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Ish-deputetja dhe drejtuesja politike e PD për njësitë 9 dhe 11 në Tiranë, Albana Vokshi u shpreh sot në një intervistë televizive se PD ka marrëveshje me të gjitha partitë e tjera, të cilat do të jenë pjesë e listës së PD-së. Sipas saj, bëhet fjalë për një koalicion brenda një sigle.

“Marrëveshja midis Partisë Demokratike – Aleanca për Ndryshim dhe partisë LSI është një marrëveshje me qëllimin e vetëm, garantimin e fitores së zgjedhjeve të 25 prillit në mënyrë që në Shqipëri të fillojë ndryshimi”, u shpreh Vokshi, duke u ndalur tek nënshkrimi i djeshëm i marrëveshjes.

Ajo vuri në dukje se PD është çdo ditë në terren.

“Takojmë çdo ditë, çdo orë qytetarë. I takojmë në shtëpi, në rrugë, në lokale, u ka ardhur atje ku nuk mban më. Po u shtrëngohet gjithmonë e më shumë laku në fyt nga kjo keqqeverisje 8-vjeçare e Edi Ramës”, tha Vokshi, duke ritheksuar se marrëveshja mes PD dhe LSI ka për qëllim fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit.

“Ka për qëllim që 25 prilli të kthehet në datën e ndryshimit dhe të rinisjes të një historie shprese dhe përmbushjes të të gjitha aspiratave të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh ajo. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.