Mandati i tretë/ Spiropali: Duhet t’i vazhdojmë punët për mos t’u kthyer tek njerëzit që u provuan e nuk prodhuan gjë

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, deklaroi sot se, PS nuk ka nevojë për fosile edhe bishta politikë, të cilët nuk prodhojnë politika, prodhojnë vetëm karrike për vete.

Në një intervistë televizive, ajo shpjegoi pse PS vendosi të dalë e vetme në zgjedhje, duke u shprehur “se i tillë është dhe sistemi tashmë”.

“Dhe ne nuk e kuptojmë pse ata të tjerët pretendojnë që janë në një koalicion. Se nuk janë. Secili del me listat e veta, me siglën, me emrat”, theksoi ajo.

“Dhe ne nuk shpresonim për fat tjetër sepse të tillë e kërkuam. Ne duam të jemi përballë shqiptarëve të paraqesim programin tonë, ato që kemi bërë, ato që do të bëjmë. Duam të gjykohemi prej tyre. Dhe nuk kemi nevojë për asfarësoj fosilesh edhe bishtash politikë, të cilët nuk prodhojnë politika, prodhojnë vetëm karrike për vete”, tha Spiropali.

“Ne e kemi të provuar këtë. E dimë. Ne nuk jemi engjëj, nuk jemi perfekt. Kemi patur edhe ne rrugët tona të bashkuara me të tjerë në kohë të caktuara dhe nuk ka dyshim që një qeverisje e kondicionuar, e kushtëzuar, sidomos nga këta emra që janë në atë listë të gjatë, është padyshim një qeverisje e marrë peng”, u shpreh Spiropali.

“Këtë e dimë, prandaj e kërkojmë besimin e shqiptarëve për të qeverisur të vetëm, jo për pushtetin si një qëllim në vetvete, por pushtetin si një mjet për të përfunduar punët e nisura, për të bërë më shumë për Shqipërinë”, tha Spiropali.

Spiropali u ndal edhe tek ambicja për mandatin e tretë. “Për ne koha nuk mjafton sepse kemi marrë përsipër ta ndryshojmë rrënjësisht Shqipërinë. Kemi bërë shumë rrugë në të gjithë sektorët. Shqipëria është si një kantier i madh ndërtimi në çdo cep. Dhe kur them kantier nuk kam parasysh punë fizike, por dhe kantierë të tillë si reformimi i drejtësisë, apo ligjshmëria. Dhe duhet t’i vazhdojmë këto punë për të ecur përpara, për mos t’u kthyer tek njerëzit, të cilët janë të provuar dhe asgjë nuk kanë prodhuar”.

“Nuk e kuptoj se në cilin koalicion kanë hyrë ata që kemi përballë, sepse nuk ekziston një i tillë. Ata të gjithë kanë hyrë me listën e tyre. Dhe në fakt ai shtrëngim duarsh dje edhe Himni i Flamurit ishte më shumë si një e bërtitur në pyll për t’i dhënë zemër vetes dhe për të thënë ja ku jemi, se secili ka dalë me listën e vet dhe partia e parë, ajo që fiton zgjedhjet do bëjë qeverinë”, theksoi Spiropali.

“PS është një parti progresiste patjetër. Një parti që synon zhvillimin e vendit, e cila ndarjen ideologjike deri në këtë pikë, nuk e përcakton përfundimisht. Por që PS dhe kjo mazhorancë ka bërë politika sociale të rrënjësishme këtë nuk e mohon dot askush”, tha Spiropali.

Spiropali përmendi shembullin e Rindërtimit. “Është ndoshta politika më sociale e ideuar dhe e praktikuar ndonjëherë në Republikën e Shqipërisë. Janë 4500 shtëpi individuale që ndërtohen nga shteti falas. 12 mijë apartamente dhe lagje të reja, që po ashtu do shpërndahen. Janë 160 shkolla publike të ndërtuara, kopshte, hapësira etj.”, u shpreh Spiropali. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.