Komisioni për Politikën e Jashtme miratoi dy projektligje

TIRANË, 2 mars /ATSH/ Komisioni për Politikën e Jashtme, në drejtimin e kryetares Mimi Kodheli, pas miratimit të procesverbaleve të dy mbledhjeve të mëparshme dhe kalendarit të punimeve të muajit mars, vijoi në mbledhjen e sotme me shqyrtimin nen për nen dhe në tërësi të projektligjit të ardhur si propozim i deputetit Adnor Shameti, i miratuar në parim në mbledhjen e mëparshme.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 115/2017 “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Diasporës” lidhej me disa procedura prokurimi publik, që kërkonin mbushjen e një hapësire të lënë bosh në ligjin ekzistues për të lehtësuar aktivitetin e Ministrisë së Diasporës dhe konkretisht të kësaj agjencie.

Ndryshimet, që nuk kishin efekte financiare e që kishin dakordësinë mes Ministrisë së Financave, Ministrisë së Diasporës dhe propozuesit të këtyre ndryshimeve, Adnor Shameti, me mbështetjen e relatorit për komisionin, Alket Hyseni, gjetën mbështetjen me votë nen për nen dhe në tërësi si projektligj.

Më tej, në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, komisioni vijoi me shqyrtimin dhe më pas miratimin e projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin e vitit 1988 në lidhje me Konventën Ndërkombëtare për sigurinë e jetës në det, 1974”, që u paraqit në komision nga zëvendësministri Etjen Xhafaj.

Xhafaj u shpreh se projektligji synon të plotësojë kuadrin ligjor në fushën e Sigurisë lundrimore, duke amenduar konventën “Për Sigurinë e Jetës në Det (SOLAS) 1974”.

Objektivi kryesor i konventës SOLAS, sipas asaj që zëvendësministri Xhafaj prezantoi, është të specifikojë standardet minimale për ndërtimin, pajisjet dhe funksionimin e anijeve, në përputhje me sigurinë e tyre, ku shtetet anëtare janë përgjegjëse për të siguruar që anijet, nën flamurin e tyre, të jenë në përputhje me kërkesat e saj dhe janë përcaktuar një numër certifikatash të reja. Projektligji gjeti mbështetjen e relatores për komisionin, deputetes Eglantina Gjermeni.

Komisioni e miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës “Cisco Webex”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.