“Ka dritë në fund të tunelit”/Meksi: Falenderoj Ramën dhe Manastirliun , më mundësuan vijimin e trajtimit të mëtejshëm të sëmundjes

TIRANË 2 mars/ATSH/ Shkrimtares dhe përkthyeses Mira Meksi e cila vuan nga një sëmundje e rëndë, i është mundësuar që të vijojë trajtimin e mëtejshëm.

Shkrimtarja Meksi falënderoi sot Kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, që i mundësuan vijimin e trajtimit të mëtejshëm të sëmundjes.

Në një reagim, Meksi shprehet se, “miqtë e mi, dashamirës, jeni aq shumë sa nuk jua përmend dot emrin. Por zemra ime ju njeh të gjithëve. Më keni prekur shpirtin me solidaritetin tuaj, më keni dhënë forcë dhe energji për ta përballuar sëmundjen. Ju jam përjetësisht mirënjohëse. Ju uroj së pari shëndet dhe forcë njerëzore në këto kohëra të zeza”.

“Ka dritë në fund të tunelit!Falënderoj nga zemra Kryeministrin Rama dhe Ministren Manastirliu që më mundësuan vijimin e trajtimit të mëtejshëm të sëmundjes! Zoti me ne të gjithë”, – thekson Meksi.

Shkrimtarja dhe përkthyesja Mira Meksi vuan nga një sëmundje e rëndë. Pas një ndërhyrje kirurgjikale Mira Meksi duhet që të vijojë mjekimet e specializuara (terapi dhe kura) jashtë vendit.

Mira Meksi është fituese e dy çmimeve, Çmimi i Akademisë Kult për Përkthimin më të mirë me “100 vjet Vetmi” të Markezit në edicionin e 16-të, dhe Çmimin e letërsisë për Romanin më të mirë për 2019, “Diktatori në kryq”, me motivacionin “Për krijimin e vlerave dhe risive origjinale në prozën romanore shqipe”, ku ndërthuren mjeshtërisht motivet e një historie besimi në trajektoren e një epoke politike.

Shkrimtarja Meksi është autorja edhe përkthyesja e disa veprave letrare në shqip si: “E kuqja e demave”, “Mallkimi i priftëreshave”, “Frosina e Janinës” etj., si dhe ka përkthyer autorë të njohur, si Dumas, Baudelaire, Lamartine, Rimbaud, Marquez etj./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.