Investimet në bujqësi/ Ringrihet sistemi i kullimit të tokave bujqësore në zonën e Sektor Semanit, Fier


TIRANË, 2 mars/ATSH/ Një nga investimet e rëndësishme që qeverisë në mbështetje të bujqësisë është edhe garantimi i ujitjes së tokave bujqësore, që ka dyfishuar sipërfaqen e tokës së punueshme në Shqipëri, duke e çuar atë nga 120 mijë ha në 240 mijë ha.

Në këtë drejtim, ndërhyrje rrënjësore te kanalet kulluese e vaditëse si dhe te kolektorët kryesorë po bëhet në gjithë fushën e Myzeqesë.

Kryeministri Edi Rama ndau sot disa pamje nga ringritja e sistemit të kullimit të tokave bujqësore edhe në zonën e Sektor Semanit, në Fier, ku “gjithçka nga ky sistem kishte humbur gjurmët”.

“Një pamje e bukur e punës për ringritjen e sistemit të kullimit të tokave bujqësore edhe në zonën e Sektor Semanit, ku gjithçka nga ky sistem kishte humbur gjurmët”, tha Rama.

Ringritja e sistemit të kullimit të tokave bujqësore garanton që fermerët e fushës së Myzeqesë të mos kenë më probleme përmbytjesh të tokave bujqësore prej reshjeve që bien në stinën e dimrit.

Po ashtu, hapja e rrugëve të parcelave është një tjetër element që ecën paralel me sistemin e kullimit dhe vaditjes, në shërbim të fermerëve, prodhimit bujqësor dhe lehtësisë sipërmarrëse. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.