Incidenca për 100 mijë banorë/ Rakacolli: Shqipëria më mirë se mesatarja, kemi ulje të lehtë të infektimeve

TIRANË, 2 mars/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli deklaroi sot se gjatë dy javëve të fundit po vihet re një ulje e vogël e infektimeve dhe kjo sipas saj, është një shenjë e mirë.

Gjatë një interviste në medie, zv.ministrja u shpreh se ekspertët epidemiologjikë janë ata që vendosin për masat kufizuese. Duke folur për strategjinë e testimit, Rakacolli theksoi se ajo është përcaktuar që nga fillimi për rastet që kanë simptoma dhe raste të cilët nga kontakti epidemiologjik kanë kontakte të ngushta me personat e infektuar.

Zv.ministrja foli edhe për kapacitetet spitalore.

“Ne nuk kemi pasur ndonjëherë situatë që sistemi ashtu siç është menduar të mos përballojë shtrimet. U bë një skenar nëse do të kalonin kapacitetet spitalore, edhe menjëherë në riparjen, u pa që kapacitetet po ezauroheshin, u hapën spitalet rajonale. Nëse nuk pakësohen numri i të infektuarve do të hapen ende spitale të tjera rajonale. Janë Korça e Vlora, vazhdohet më pas me spitalin e Fierit, Gjirokastrën, Beratin, Kukësin e Dibrën. Janë më shumë të shëruar se sa të shtruar”, deklaroi Rakacolli.

Rakacolli tha se gjërat nuk shihen me një ditë, shikohet tendenca, të paktën tendenca njëjavore ose dyjavore.

“Epidemia nuk ka ndodhur në të gjitha vendet në të njëjtën ditë. Pandemia ka atë kurbën e vet dhe zhvendosjen e vet. Nëse ka pasur një valë të parë në Shqipëri, në një vend tjetër ka nisur më vonë. Ka një kurbë, nëse i referohesh sërish shifrave të OBSH, që flet për incidencën për 100 mijë banorë. Shqipëria është më mirë se mesatarja dhe këtu i referohemi javës së kaluar, ku u mblodh komiteti. Nga rajoni, qoftë Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, Sllovenia, ishin me numër më të lartë rastesh për 100 mijë banorë. Gjërat duhet parë në total. Po të shohësh rastet për 100 mijë banorë, Kosova ka më shumë se sa ne. Krahasimet kështu bëhen, po i vendosim në të njëjtën emërues, numër rastesh për 100 mijë banorë, ne i kemi 58 për 100 mijë banor, vendet e tjera i kanë më të larta se sa ne. Krahasuar me javën e kaluar, kur morën në shqyrtim situatën, sot kemi tendencë uljeje, ka vazhduar edhe këtë javë. Është një ulje e vogël por e qëndrueshme, e duke qenë se është kështu them do të vazhdojë”, u shpreh ajo.

Sipas saj, për masa të tjera ndaj koronavirusit,  gjithçka varet nga rastet javore të infeksioneve.

“Masat merren në bazë të numrave të rasteve dhe vdekjeve. Masat merren në përputhje me shkencën epideologjike. Shumë dalin në TV dhe shprehen sikur të jenë ekspertë të epidemiologjisë, janë ekspertë epidemiologë që e bëjnë. Numër tjetër është edhe mesatarja e rasteve javore, numri i të shtruarve, edhe hetimi epidemiologjik. Pas çdo rasti që del pozitiv, bëhet hetim epidemiologjik dhe nxjerr arsyen se përse ky individ është infektuar. Kështu, krijon idenë e shpërndarjes. Ndërthurja e faktorëve në fund jep një përfundim. Ekspertët epidemiologjik janë ata që vendosin. Janë ulur rastet ditore, kanë shkuar nën 1000 rastet mesatare javore”, u shpreh Rakacolli.

Në lidhje me vaksinat, Rakacolli nënvizoi se në Shqipëri tashmë janë sjellë vaksina dhe ka nisur vaksinimi i popullsisë.

“E rëndësishme për ne është që erdhën vaksinat. Asgjë nuk është bërë për fushatë dhe qytetarët dinë ta dallojnë këtë gjë, qartë. Holanda e ka filluar 5 ditë më herët. Kemi nisur vaksinimin para gjithë Ballkanit Perëndimor. Unë edhe një vaksinë e quaj sukses dhe jo më një mijë. Vonesat kanë qenë njësoj si në të gjithë Europën. ‘Pfizer’ e ka shpjeguar se përse ka pasur vonesa, sepse fabrikat u mbyllën për pak kohë”, u shpreh zv.ministrja. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.