GJENEVË – OBSH: Pak gjasa që fundi i pandemisë të jetë këtë vit, sfidë shpërndarja e vaksinave

GJENEVË, 2 mars /ATSH-DPA/ – Organizata Botërore e Shëndetësisë theksoi se ishte pak e mundur që pandemia e koronavirusit të përfundojë në muajt e ardhshëm.

“Mendoj se do të jetë e parakohshme dhe e pamundur të mendosh se ne do të përfundojmë me këtë virus deri në fund të vitit”, deklaroi Michael Ryan, drejtor i programit të urgjencës shëndetësore të OBSH-së.

“Ajo që ne mundemi, nëse jemi inteligjentë, është të përfundojmë me shtrimet në spital, të vdekurit dhe tragjeditë si pasojë e kësaj pandemie”, shtoi Ryan.

Në këto momente, objektivi i OBSH-së është të mbajë transmetimet në një nivel sa më të ulët të jetë e mundur dhe të vaksinojë sa më shumë persona.

“Situata në lidhje me shpërndarjen e dozave të vaksinave është përmirësuar tashmë në krahasim me 10 javë më parë”, theksoi Ryan, edhe pse ka ende sfida të mëdha në shpërndarjen e tyre./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.