COVID-19 – Castex: Me motin e favorshëm dhe vaksinat do të dalim nga kjo fazë e vështirë

PARIS, 2 mars /ATSH-ANSA/ – Shpresoj që mes kushteve meteorologjike të favorshme dhe vaksinimit ne do të dalim nga kjo fazë e vështirë brenda disa javëve, deklaroi kryeministri francez, Jean Castex, gjatë një takimi në praninë e deputetëve të partisë së presidentit “République en marche”.

“Megjithatë, disa javë do të jenë të vështira”, shtoi kryeministri francez.

Presidenti francez Emmanuel Macron vlerësoi dje se ishin ende të nevojshme katër deri në gjashtë javë, përpara një lehtësimi të kufizimeve shëndetësore, në një kohë kur njëzet departamente kërcënohen nga rritja e epidemisë COVID-19.

“Ne duhet të durojmë edhe për disa javë të tjera, katër deri në gjashtë javë”, theksoi presidenti francez, Macron pa sqarime të mëtejshme, gjatë një vizite në rajonin e Parisit.

Presidenca franceze sqaroi më pas se fjalët e tij i referoheshin progresit të vaksinimit të të moshuarve, që do të bëjë të mundur sqarimin e situatës, duke lehtësuar presionin në spitale, por pa paragjykuar kufizimet e mundshme shëndetësore.

Franca, e përballur me një ripërtëritje të vazhdueshme të epidemisë, po hyn në një javë kryesore në luftën kundër COVID-19.

Qeveria, e cila po përpiqet të shmangë një bllokim të tretë të përgjithësuar, po mbështetet veçanërisht në masa territoriale për të frenuar përhapjen e virusit./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.