COVID-19 – Austria do të prodhojë vaksinën e saj me Izraelin dhe Danimarkën

VJENË, 2 mars /ATSH-DPA/ – Austria do të zhvillojë një version të sajin kundër varianteve të ardhshme të Covid-19 së bashku me Danimarkën dhe Izraelin, njoftoi sot kancelari, Sebastian Kurz.

“Agjencia Europiane e Barnave (EMA) ka vepruar shumë ngadalë për të miratuar vaksinat kundër COVID-19 dhe ka pasur probleme me furnizimin dhe dorëzimin e vaksinave”, theksoi Kurz përpara një udhëtimi në Izrael.

“Jam i lumtur që Ursula von der Leyen mori kaq herët iniciativën për të prokuruar vaksinat për Bashkimin Europian. Por, ne duhet të jemi tashmë të përgatitur për mutacione të ardhshme më të rrezikshme të COVID-19”, deklaroi Kurz në një mesazh në Twitter.

Për këtë arsye Austria do të bashkëpunojë me Danimarkën dhe Izraelin në vitet e ardhshme për të hulumtuar dhe prodhuar vaksina të gjeneratës së dytë kundër mutacioneve të mundshme të virusit në të ardhmen.

Sipas Kurz, ekspertët vlerësojnë se gjashtë milionë austriakë do të duhet të vaksinohen çdo vit.

“Pandemia do të qëndrojë me ne për një kohë të gjatë me mutacione të ndryshm”, shtoi Kurz.

Renee Gallo-Daniel, kreu i shoqatës së prodhuesve të vaksinave austriake, deklaroi për radion ORF se një prodhim vendas i vaksinave ishte i rëndësishëm.

”Megjithëse do të duheshin muaj ose vite për të ngritur ose rinovuar një njësi prodhimi për këtë qëllim, është e arsyeshme të mendohej tani për të ardhmen, veçanërisht në lidhje me pandemitë e ardhshme”, theksoi Gallo-Daniel./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.