Zgjedhjet e 25 prillit/ Spiropali: Opozita me një listë klientelizmi dhe mercenarizmi për të kthyer prapa Shqipërinë

TIRANË, 1 mars/ATSH-Maela Marini/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e cilësoi sot marrëveshjen zgjedhore të opozitës si një listë e klientelizmit të pastër dhe e mercenarizmit të kulluar e atyre që duan të kthejnë prapa Shqipërinë.

Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Spiropali tha se, “ne nuk mund të kontrollojmë, të dimë orekset e opozitës jashtëparlamentare”.

“Sa i përket identifikimit elektronik të zgjedhësve do të ishte e arsyeshme të bëhet dhe një identifikim i të zgjedhurve, i atyre që do të hyjnë në këto lista. Se nga ajo që po na shohin sytë me koalicionin opozitar nuk dimë çfarë të themi më. Nuk është koalicion, por është një listë që këta e kanë zaptuar për t’i zënë vendin disa demokratëve të tjerë që mund të ishin ndoshta shumë më dinjitoz”, tha Spiropali.

“Këta emra: Mona, Nardi, Shpëtimi, Fatmiri, Luli, Agroni që pretendojnë se do të  ndryshojnë me rrënjë politikën dhe do e kthejnë Shqipërinë nga e mbara janë po të njëjtët që Shqipërisë ia bënë zi në 30 vite. Se nuk janë njëherë të provuar me votat e tyre. Ato ndryshime prandaj kaluan në Kuvend, që vargoni i partive të mos jetë i pafundëm dhe mos të ngrihet në piedestal parimi ‘Kap ça të kapësh’. Por kjo listë e klientelizimit të pastër, e mercenarizimit të kulluar nuk mund të shoqërohet me himnin e flamurit. Luli dhe Monika nënshkruan një marrëveshje imagjinare mes tyre, vunë himnin e flamurit dhe thanë Shqipëria me ne do të shkoj aty ku ishte”, tha Spiropali.

“Luli dihet që është me parimin e Budës: ‘Nëse do të shkosh diku, mos lëviz nga vendi’, por që do kishim dy vjet luftë këtu në Kuvend, në rrugë, do të shkatërroheshin institucionet, do mundohej të pengohej integrimi i vendit që këta të kthehen te kjo listë, kjo është për të vënë duart në kokë, është për t’u tallur me njerëzit”, vijoi ajo.

Spiropali shtroi pyetjen se “kush do t’i rindërtojë 4500 shtëpitë e banimit, 12 mijë apartamentet, 160 shkollat nga rindërtimi”. “Kush do i ndërtojë, Shpëtimi? Kush do t’i vaksinojë shqiptarët, kush do i sjellë 500 mijë vaksina deri në fund të vitit? Nardi? Po 10 milionë turistë në Shqipëri kush do i sjellë, Agroni? Infrastrukturën, kush do t’i ndërtojë aeroportet, do i ndërtojë Mona? U duket edhe çudi këtyre që do ndërtohen aeroporte në Shqipëri, aeroporti i Kukësit dhe i Vlorës, se patjetër kur ke një kryetar partie dhe një kandidat për kryeministër që është aeroplan pa bisht nuk ka ç’të duhet pista. Fli gjumë  dhe shih ëndrra”, tha Spiropali.

“Po votën e emigrantëve pse e pengoi? Çfarë kanë këta me votën e emigrantëve? Kanë frikë se edhe këta njerëz që kanë ikur nga Edi Rama, sipas tyre, nuk do t’i votojnë? Por shqiptarët kanë ikur e po ikin nga këta, nga kjo listë që janë gjithmonë të njëjtët, mercenarë, të shitur, të blerë. Këta gjithmonë në krye në ministri, duan drejtori, inspektorate. Këta duan të ndajnë Shqipërinë copa-copa”, tha Spiropali.

“Po Shqipërinë europiane dhe Shqipërinë faktor në rajon kush do e bëjë, Flamur Noka, që del e thotë sot e kësaj dite: do i presim gishtat dhe i nxjerrim sytë shqiptarëve? Ka vetëm një rrugë për të vazhduar përpara, t’i vësh vizën, t’i heqësh kryqin këtyre. Të gjithë në votim në 25 prill për të mbyllur hendekun mes Shqipërisë që gjetëm, që e kishin marrë peng këta dhe Shqipërisë që duam, dhe këtë mund ta bëjë vetëm Edi Rama dhe kjo mazhorancë. Këta i lanë njerëzit në geto, pa kanalizime e pa ujë, pa shkolla, çerdhe, kopshte. Kush do ta bëjë bujqësinë? Kush do t’i trefishojë eksportet si ne? Këta që në kohë të tyre fermeri dhe fshati ishin në kushte mesjetare, qytetet pirgje plehu pa qendra. Apo ne që bëmë rilindjen urbane dhe po bëjmë atë rurale. Politika jonë për shqiptarët është e pandarë nga veriu në jug”, tha ajo.

Kreu i grupit demokrat, Myslim Murriz replikoi sot në Kuvend me ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

“Luftën false dhe formale me njëri-tjetrin po ka mundësi na e kurseni. Ajo tufa e nderuar Elisë që u bashkua dje dhe pardje nuk e di kur e ke parë, ka dhe një vend të vogël në polifoton e pistës të 30 viteve. Duhen dhe 4-5 kokrra nga ju për ta plotësuar ekzakt panoramën e batakçinjve të kësaj salle që në 30 vite tallen me shqiptarët dhe grabisin shqiptarët sa herë që vijnë në pushtet dhe zënë këto karriget këtu pas meje”, tha Murrizi.

“Në 20 vite shqiptarët kanë paguar 80 miliardë euro taksa nëpërmjet bizneseve të drejtpërdrejta dhe shqiptarët indirekt nga xhepi i tyre. Rreth 40 miliardë euro janë paga dhe pensione, 40 miliardë të tjera në 20 e ca vite kanë përfunduar demek me letra në tendera. A ka shqiptarë ta besojë që në këtë vend janë investuar 40 miliardë euro?”, u shpreh Murrizi.

“Rilindja urbane u ka kushtuar shqiptarëve 400 milionë euro. 400 milionë euro nuk janë pak. Arroganca juaj detyron shqiptarët të paguajnë 110 milionë euro detyrime të administratës të shkarkuar për motive politike. Janë vendime gjyqësore të formës së prerë. Arroganca juaj do të paguajë nga xhepi i shqiptarëve 350 milionë euro vendime arbitrazhi në gjykatë ndërkombëtare”, tha Murrizi.

“Pse s’e anuluat koncesionarin e kompanisë ALEAT? Pse s’e anuluat koncesionarin e kompanisë Rapiscan. Që detyroheni sot t’i shlyeni borxhin 3.3 milionë euro që merrkan në vit me 297 mijë euro në muaj, me vonesë për hatër të pandemisë. Pse s’i anuluat portin, aeroportin, kasat fiskale, ngjyrosjen e karburantit, Bankersin e famshëm që nxjerr 400 milionë dollarë pasuri kombëtare jashtë shtetit s’paguan prej 15 vitesh asnjë lek tatimfitimi në këtë vend. Pse s’i anuluat minierat, HEC-et”, tha Murrizi.

Ndërsa ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, duke replikuar me deputetin Murrizi u shpreh se, për Rapiscan-in, “që në 2013-ën janë bërë përpjekje për të anuluar koncesionin më të turpshëm në historinë e Shqipërisë, koncesioni i Rapiscan-it. një kontratë e qepur dhe e lidhur në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe nuk kishim asnjë zgjidhje përveç se ta negocionim dhe e negociuam dhe i ulëm kostot. E kanë bërë për vete, e kanë bërë për djalin, e kanë bërë për bizneset e tyre. E di shumë mirë z. Murrizi dhe e kanë qepur këtu në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk ka mënyrë për ta zhbërë atë, veçse të uleshin kostot. Ne jemi të përgjegjshëm se pastaj do vinim këtu dhe do thoshit i keni shkaktuar Shqipërisë kaq kosto. Ne e dimë që djemtë, fisi dhe farefisi i tyre, fara dhe këta të listave i kanë shkaktuar Shqipërisë kosto të rënda mbi supe, të cilat ne po ia heqim ditë pas dite. Këtë mund të bëjmë ne deri sa të shkulim përfundimisht Shqipërinë që lanë ata për Shqipërinë që duam”. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.