Vijon vaksinimi i gjyshërve e gjysheve +80 vjeç/ Të moshuarit: Jemi shumë të lumtur, ndihemi më të sigurtë

TIRANË, 1 mars /ATSH-A. Fortuzi/ “Ndihemi më të sigurt!”; “Na njoftoi doktoresha e lagjes”; “Shumë faleminderit!”, “Duam të jetojmë, të shohim gjëra të bukura”, këto ishin disa nga emocionet dhe rrëfimet e gjyshërve dhe gjysheve mbi 80 vjeç të vaksinuar në qendrën e ngritur në stadiumin “Air Albania”.

“Faleminderit për këto emocione nga gjyshet dhe gjyshërit që sot janë më të mbrojtur pas vaksinimit! Në mbrëmje mbërrijnë edhe 15 mijë doza vaksinash ‘Pfizer'”, shprehet Kryeministri Edi Rama.

“Emocionet e gjysheve dhe gjyshërve që sot janë më të mbrojtur pas vaksinimit”, – shprehet edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Është një vepër shumë e madhe sepse shpëton njerëz”; “Shumë i kënaqur, shumë faleminderit” “Faleminderit shumë”; “Doktori i lagjes më njoftoj që do paraqitesha në filan vend, filan orë për të bërë vaksinën”. “Tani ndihemi më të sigurt”; “Ne, unë dhe bashkëshorti jetojmë në Kombinat. Na lajmëroj mjekja e familjes”; “Doktoresha e lagjes më lajmëroi; Ajo është shumë e kujdesshme dhe më njoftoj menjëherë”; “Duam të jetojmë akoma, të shohim gjëra të bukura”, shprehen të moshuarit.

Sot pritet të mbërrijnë 15 mijë vaksina nga “Pfizer” dhe brenda 10 ditëshit të parë 14 mijë vaksina të Astra Zeneca nga instrumenti COVAX, ku do të fillojë vaksinimi edhe nën 65 vjeç, me targetin e përcaktuar nga ISHP.

Nga fillimi i vaksinimit janë kryer 13,495 vaksinime për bluzat e bardha dhe të moshuarit. Sot priten të vijnë 15 mijë doza vaksinash të kompanisë “Pfizer”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.