Veliaj: Prurje të reja në listat e PS për Tiranën, me kandidatët e opozitës jemi dy botë të ndryshme

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha sot se në listat e Tiranës për zgjedhjet e 25 prillit do të ketë risi.

Duke bërë një krahasim me opozitën, drejtuesi politik për PS në Tiranë, u shpreh se ata janë botë tjetër.

“Do të ketë shumë risi. Bashkë me kryeministrin, bëmë një prezantim të prurjeve të reja. Do të kemi prurje të reja për ata që u futën në platformën “Deputeti që duam”, do kemi njerëz që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës. Marrim shembullin konkret në Kavajë. Ne kemi aty zv.ministrin e infrastrukturës, Etien Xhafaj, i diplomuar në Harvard. Ndërkohë, Saliu vazhdon dhe thotë se Kavajën e ka në xhep dhe zihet me Gridën se kush do e lexojë Eseninin në Kavajë”, – nënvizoi Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se, “flasim për dy qytetërime të ndryshme, dy botëkuptime të ndryshme, dy energji dhe dy skuadra të ndryshme”.

“Do shikoni një gërshetim të deputetëve me përvojë dhe që kanë performuar gjatë këtyre viteve, me gjak të ri. Unë besoj se do kemi një rezultat më të mirë se ai në 2017”, – tha Veliaj.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.