Várhelyi: Këtë muaj vaksinat antikovid nga “AstraZeneca” në kuadër të COVAX

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Olivér Várhelyi deklaroi sot se, këtë muaj do të ketë një shpërndarje të parë me iniciativën COVAX nga “AstraZeneca” në Shqipëri.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama dhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë / zëvendëspresidenti i Komisionit, Josep Borrell, Varhelyi tha se, “çështja tjetër të cilën ne kemi diskutuar ka qenë kriza e pandemisë COVID-19 dhe siç e keni parë në valën e parë ne u mobilizuam menjëherë dhe sollëm mbështetje domethënëse dhe të konsiderueshme në Ballkanin Perëndimor, natyrisht edhe Shqipërisë. Dhe kemi mobilizuar po ashtu edhe një program shumë të rëndësishëm. Dhe më erdhi mirë që e dëgjova z. Kryeministër që tha që ky është një element shumë i rëndësishëm për të, jo vetëm për zhvillimin afatgjatë dhe afatmesëm të vendit, por për mua, unë mendoj që është kontributi ynë për rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë pas COVID-it, sepse ne duhet që ta përpilojmë këtë strategji rimëkëmbjeje së bashku. Europa do që të jetë pjesë e rimëkëmbjes, e procesit të rimëkëmbjes në Ballkanin Perëndimor dhe në Shqipëri. Dhe ky është një mesazh i fortë të cilin duhet ta kuptojnë të gjithë”.

“Natyrisht që sot ne nuk flasim më për maskat, apo për respiratorët, apo për mbështetjen financiare, por flasim a kemi vaksina? Pra sot kryefjala është vaksina. Dhe siç e keni parë edhe shtetet tona anëtare kanë probleme që të arrijnë të marrin vaksinën për qytetarët e tyre”, tha Várhelyi.

Ne shtoi ai, “natyrisht nuk e kemi harruar dhe nuk po e harrojmë Ballkanin Perëndimor apo shtetet e tjera fqinjë. Ne po punojmë shumë. Në fakt t’ju them të drejtën, ditë e natë që të arrijmë të marrim këto vaksina dhe t’i çojmë në këto rajone. Pra për ne është përparësi dhe ne po punojmë jo vetëm, por edhe me anën e iniciativës COVAX, por edhe me iniciativa të tjera”.

Varhelyi u shpreh se, “do të ketë një shpërndarje të parë me iniciativën COVAX këtë muaj nga ‘AstraZeneca’ në Shqipëri dhe ne po punojmë, edhe me vendet e tjera, jo vetëm me anën e COVAX-it, por edhe me iniciativën tonë, që është e jona dhe me zgjidhjen tonë si Komision Europian për ta sjellë ndihmën aty ku duhet tek qytetarët. Dhe kjo për arsye se ne e kuptojmë rëndësinë e kësaj gjëje”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.