Takimet në Bruksel/ Xhaçka: Biseduam për integrimin, vaksinat antikovid dhe një paketë të re rimëkëmbjeje

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh sot se përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, dhe Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Várhelyi, kanë vlerësuar se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha detyrat e shtëpisë për të nisur procesin e integrimit në BE-së.

Në një prononcim për mediet nga Brukseli ministrja Xhaçka tha se, tri temat kryesore që janë diskutuar në Bruksel mes Kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të lartë të BE, janë integrimi në BE, një mekanizëm i ri për marrjen shpejt të vaksinave antikovid dhe një paketë e re financiare, që do të ndihmojë në rimëkëmbjen ekonomike të Shqipërisë.

“Ka qenë një takim shumë pozitiv, me Borrell e Várhelyi. Tema e diskutimit ka qenë integrimi. Ka pasur një diskutim shumë të hapur mbi ato që kanë qenë detyrat e shtëpisë të Shqipërisë, të cilat sipas zyrtarëve të BE janë përmbushur plotësisht. Ndoshta për të qenë pak më koncize, 3 janë temat kryesore”, u shpreh Xhaçka.

“E para, që detyrat e shtëpisë janë kryer të 15-ta. Është koha që të kemi konferencën e parë ndërqeveritare mes BE-së dhe Shqipëri, por data nuk është vendosur ende. Ka pasur shumë avancime pozitive dhe përmbushje të 15 kushteve, ndaj dhe vlerësimi i bërë nga dy zyrtarët ka qenë që Shqipëria meriton të avancojë në këtë fazë tjetër, pra të vendosjes së datës për konferencën”, – tha Xhaçka.

Tema e dytë, vijoi ajo, ka të bëjë me pandeminë, me një mekanizëm të ri për të ofruar vaksina për vendet e Ballkanit, dhe sigurisht edhe për Shqipërinë.

“Për këtë mekanizëm po punojnë zyrtarët e BE, për të ofruar një dhënie të drejtpërdrejtë të vaksinave në një kohë sa më të shpejtë, por duke pasur parasysh edhe pjesën financiare. Edhe mekanizmi i COVAX pritet të funksionojë shumë shpejt dhe presim që këto ditë të marrim vaksinat e para. Bëhet fjalë për një shumë të konsiderueshme”, – theksoi ministja.

Xhaçka nënvizoi se, “çështja e tretë është paketa financiare, një paketë që është vënë në dispozicion të vendit për të shëruar plagët e pandemisë dhe për të financuar fuqizimin e ekonomisë. Kjo paketë do të ndihmojë për rimëkëmbjen e ekonomisë. Ka qenë një takim shumë pozitiv dhe i efektshëm. Ne i kemi kryer të gjitha detyrat tona dhe tani topi është në anën e tyre”.

Lidhur me pritshmërinë për zgjedhjet e 25 prillit, Xhaçka u shpreh se, “pritshmëritë janë ato që kemi edhe ne si një qeveri shumë e angazhuar për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme. Kjo është dhe pritshmëria që ata kanë”.

Ajo theksoi se, takimet do të vijojnë me një takim me Ursula von der Leyen dhe më pas me Presidentin e Parlamentit Europian. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.