“Situata brenda normalitetit limit”/ Brataj: Masat antikovid dhanë efekt, ka rënie të lehtë të infektimeve

TIRANË, 1 mars /ATSH – I. Vata/ Shefi i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj deklaroi sot se, “situata e pandemisë është brenda normalitetit limit, pasi masat dhanë efektin”.

Brataj u shpreh në një intervistë televizive se Komiteti i Ekspertëve mund të mblidhet në çdo moment nëse shifrat përkeqësohen, por dhe për analizim, monitorim e shumë propozime që vijnë, si për protokolle apo terapi të reja.

“Për këtë arsye ne ose do të dëgjohemi online, ose do mblidhemi grupe-grupe për të diskutuar, por jo për të marrë masa të reja, kur katër ditë ka që janë shpallur masat që u dhanë. Dhe masat nuk merren duam apo nuk duam, dhe nuk janë vendime të një personi, por të Komitetit dhe masat merren mbi bazën e gjendjes së përgjithshme”, theksoi Brataj.

“Ajo që u vu re javën e kaluar kur numrat po vinin në rritje prej dy javësh, u pa një qëndrueshmëri, nuk pati rritje progresive as të të infektuarve e as të të shtruarve në  spital. U rritën dhe u rritën dhe pati një ndalesë. Dhe kjo plato, kjo kurbë e sheshtë janë nga ato sinjale që ne na bëjnë të vendosur për shumë gjëra. Dhe ajo plato varet nga numri i të infektuarve, pra nga transmetimi se çfarë koeficienti ka dhe burimet që janë në dispozicion, shtretërit, aparaturat, burimet njerëzore që janë në dispozicion dhe u pa se nga numri që ishte 1000 e ca të infektuar filloi të zbresë”, tha ai.

Brataj tha se “R-ja (transmetimi) ka qenë 1.14 në dhjetor, 1.13 në janar dhe sot jemi te 1-shi ose poshtë njëshit. OBSH llogarit transmetimin sa është, 1 apo poshtë njëshit. Situata është nën kontroll kur është te njëshi dhe zbret poshtë 1-shit. Kur zbret poshtë 0.7-tës themi se pandemia po zbret. Pra është një farë indeksi dhe numri i të infektuarve për 100 mijë banorë. Analizën e fundit që ne bëmë dy javët e para ishte 525 për 100 mijë banorë dhe kritik është 500-ta, dhe sot është 495, pra të gjithë treguesit janë në maksimumin e tyre, por në këtë moment nuk ka më rritje, ka një stabilitet dhe një rënie të lehtë. Me hapjen e spitaleve rajonale situata u vu nën kontroll”, tha ai.

Në lidhje me masat, Brataj tha po jetojmë në një pandemi të paparë më parë, nuk jemi në kushte normale. Dhe të gjithë qytetarët, mediet, politikanët duhet të përshtaten me situatën në të cilën po jetojmë.

“Deri në këtë moment situata është nën kontroll, të gjithë treguesit janë brenda normave limite. Masat shtrënguese u morën. Ora e darkës ishte ora më e tmerrshme, më sociale, më e grumbulluar, dhe mendoj se mbyllja e orarit e frenoi. Pra masat kanë dhënë rezultat”, tha ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.