Rritet prodhimi i naftës bruto/ Të ardhurat nga renta minerare në eksport 44 milionë lekë mbi planin

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 246 milionë lekë, në masën 121.7 % kundrejt planit, ose 44 milionë lekë më shumë.

Sipas treguesve fiskalë të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat nga renta minerare për naftën bruto kanë pësuar rritje si rezultat i rritjes së sasisë së prodhimit të naftës bruto, e cila për muajin janar është 29.1 % më shumë se viti i kaluar me efekt 60.3 milionë lekë.

Por në të njëjtën kohë rënia e çmimit të naftës bruto në tregjet ndërkombëtare, ka sjellë një efekt negative me 49 milionë lekë. Gjatë muajit janar 2021 kemi një rënie të rentës për njësi nga 3.26 lekë/ton në 2.32 lekë/ton.

Ndërkohë, të ardhurat nga mineralet e eksportuara kanë pësuar rënie në masën 0.3 milionë lekë, për shkak të rënies së sasisë së mineraleve me 31.7 %, me efekt negative 9.4 milionë lekë, efekt ky që është shoqëruar me një rritje të çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare me efekt rreth 9 milionë lekë. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.