Reforma në Drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit/ Gjonaj bisedë me kryetaren e Bordit të Transparency International

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj zhvilloi sot një takim online me kryetaren e Bordit të Transparency International, Delia Ferreira Rubio, e shoqëruar nga Lidija Prokic, këshilltare për Rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ministrja e Drejtësisë Gjonaj e njohu kryetaren e Bordit të Transparency International mbi arritjet e Reformës në Drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.

Ministrja e Drejtësisë gjatë takimit me Ferreira Rubio theksoi dhe faktin se si koordinator kombëtar antikorrupsion, Ministria e Drejtësisë ka kryer të gjitha analizat për të përmirësuar pozicionimin e Shqipërisë në raportin e perceptimit të korrupsionit, raport në të cilën Shqipëria ketë vit u rendit dy vende më lart nga një vit më parë, pavarësisht se shumë vende për shkak të pandemisë janë gjendur në pozicione më të ulëta.

Gjithashtu, ministrja Gjonaj theksoi edhe faktin që Shqipëria ka qenë në këto 7 vitet e fundit, i vetmi vend në rajon që ka patur rritje me 3 pikë.

Ferreira Rubio inkurajoi Shqipërinë për të marrë masa të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe përgëzoi për arritjet e Reformës në Drejtësi. Ajo premtoi edhe ofrimin e ekspertizës nga ekspertët e Transparency International për trajnimin e Rrjetit Antikorrupsion si një mekanizëm efikas.

/m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.