Rama në Bruksel: Ditë produktive dhe vlerësime shumë të mira për Shqipërinë

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel, ku po zhvillon takime me përfaqësues të lartë të BE-së.

Në vizitën e tij në Bruksel, Kryeministri Rama shoqërohet nga ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Kryeministri publikoi disa foto nga takimi me përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Komisionerin për Zgjerim, Oliver Várhelyi.

Gjatë pasdites, kryeministri Edi Rama pati një takim me presidentin e Parlamentit Europian, David Sassoli.

“Ditë pozitive e produktive në një moment të vështirë për të gjithë; bashkëbisedime të drejtëpërdrejta me miqtë tanë në Bruksel dhe vlerësime shumë të mira nga ana e tyre për Shqipërinë”, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Gjithashtu, Kryeministri Rama mori pjesë edhe në mbledhjen e 11-të të Këshillit të Stabilizim Asocimit BE-Shqipëri.

Xhaçka bëri të ditur se në këtë mbledhje po diskutohet lidhur me procesin e negociatave me Shqipërinë.

Më herët, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla u shpreh se priten lajme shumë të mira në lidhje me integrimin e Shqipërisë në BE.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.