Presidenti i PE, Sassoli: Mbështetje për caktimin e datës për konferencën e parë ndërqeveritare

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Presidenti i Parlamentit Europian, Davide Sassoli, pas takimit me Kryeministrin Edi Rama reagoi në Twitter duke u shprehur se PE mbështet caktimin e datës për konferencën e parë ndërqeveritare të Shqipërisë me BE-në.

Sassoli vuri në dukje se Shqipëria po zbaton reformat kyçe për integrimin në Bashkimin Europian.

“Takim i shkëlqyer me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Shqipëria po zbaton reformat kryesore në rrugën e integrimit në BE. Prandaj shpreha mbështetjen e PE për caktimin e datës për konferencën e parë ndërqeveritare. BE është gjithashtu e gatshme të ndihmojë në luftën kundër COVID-19”, është shprehur presidenti i PE, Davide Sassoli.

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel, ku zhvilloi takime me përfaqësues të lartë të BE-së.

Në vizitën e tij në Bruksel, Kryeministri Rama shoqërohet nga ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.