Pavarësisht sfidave nga tërmeti dhe pandemia, Shqipëria përmbushi kriteret për Konferencën e parë Ndërqeveritare

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Komisioneri Europian për Zgjerimin, Oliver Várhelyi deklaroi sot se, “pavarësisht sfidave të jashtëzakonshme të sjella nga tërmeti i vitit 2019 dhe COVID-19, Shqipëria ka përmbushur premtimet e saj dhe ka përmbushur kriteret për Konferencën e parë Ndërqeveritare”.

“Mbetet e rëndësishme që puna të mos ndalet dhe që arritjet e deritanishme të vijojnë më tej”, tha Komisioneri Várhelyi, në një postim në Twiter.

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka komentoi ndaj deklaratave të komisionerit, duke garantuar se, “puna nuk do të ndalet këtu”.

“Faleminderit Komisioner Oliver Várhelyi për punën Tuaj të palodhur. Shqipëria me të vërtetë ka përmbushur kërkesat para Konferencës së parë Ndërqeveritare. Puna nuk do të ndalet këtu. Ne i detyrohemi brezit tonë të ri ta kthejmë ëndrrën e Bashkimit Europian në një bekim për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha ajo./m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.