“Mazhoranca shkon me bilanc pozitiv në zgjedhje”, Lleshaj: Opozita, me të njëjtin program e qasje si para 8 vitesh

TIRANË, 1 mars /ATSH – I. Vata/ “Mazhoranca shkon me bilanc pozitiv në zgjedhje”, tha sot i ftuar në një emision televiziv, ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ndërsa theksoi se opozita vjen pas 8 vjetësh me të njëjtën ofertë si para 8 viteve, me të njëjtin ekip dhe me  qasjen që solli vetëm dhunë ndaj institucioneve.

Lleshaj tha se mazhoranca shkon në zgjedhje për t’u gjykuar nga qytetarët lidhur me bilancin, me punën e bërë dhe kjo mazhorancë është krejtësisht e gatshme dhe e përgatitur mirë për t’u ballafaqur me këtë gjykim qytetarësh ditën e zgjedhjeve, për arsye se ka një bilanc të caktuar, të rëndësishëm dhe mjaft pozitiv nëse shohim rrethanat të në cilat është zhvilluar mandati i dytë.

“Një mandat, siç e tha dhe zoti Rama, i këputur në mes për shkak të dy ngjarjeve me rëndësi të jashtëzakonshme, tërmeti dhe pandemia. Qeveria ka vijuar shumë reforma, shumë projekte janë realizuar. Pra qeveria ka dëshmuar se është e aftë të përballojë kriza, t’i menaxhojë me sukses”, u shpreh Lleshaj.

Në lidhje me opozitën, Lleshaj tha se po të shohim opozitën jemi në një situatë të pazakontë, historike.

“Opozita vjen pas 8 vjetësh me të njëjtën ofertë si para 8 viteve, me të njëjtin ekip dhe  qasje. Opozita nuk arriti të bëjë detyrën e saj. Detyra e opozitës është që të përgatitet për të ofruar një ofertë qeverisjeje. Ne kemi të bëjmë me një opozitë që u premtoi qytetarëve republikën e re, një nocion absurd. Në mandatin e dytë arriti kulmin kur bojkotoi sistemin dhe doli nga roli i saj. Roli i opozitës është të jetë në Parlament, të bëjë oponencën në Parlament dhe të përgatisë ekipin qeveritar për të ardhmen. Nuk bëri as njërën, as tjetrën. Në parlament mungoi, qytetarët i braktisi, institucionet i dhunoi në mënyrë të jashtëzakonshme. Mos të harrojmë se 2019-a ka qenë një vit dhune e paparë ndaj institucioneve të vendit. Nga ana tjetër, nuk krijoi asnjë lloj mundësie që të përgatisë një ekip të ri qeverisës, por vjen sot me të njëjtin kast, me të njëjtën qasje dhe figura”, tha ai.

Ai tha se të mos harrojmë se në CV-në e kësaj opozite janë disa drama të mëdha në historinë e re të Shqipërisë, nga ekonomia, në siguri. “Kjo është arsyeja që unë e shoh pa asnjë lloj sigurie premtimin elektoral”, tha Lleshaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.