Marrëveshja e opozitës/ Veliaj: Ishte fundi i një grotesku të madh; shqiptarët duan një alternativë serioze, jo fosilet e para 30 viteve, që morën vendin në qafë

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e ka quajtur groteske marrëveshjen e firmosur sot nga Kryemadhi dhe Basha. Në një intervistë televizive, Veliaj tha se opozita, ndonëse nga njëra anë çirret kundër kullave, në anën tjetër zgjodhi pikërisht një kullë për të “celebruar” koalicionin e saj.

“M’u duk groteske që marrëveshja u nënshkrua në një kullë, ndërkohë që kanë kaq kohë që flasin kundër kullave. Ishte fundi i një grotesku të madh! Megjithatë, duhet ta vlerësoj faktin se ishte hera e parë që i shohim bashkë në një nga kullat e Tiranës, jo për të djegur pemë, semaforë, për të thyer pemë, për të vjedhur kapakë pusetash, për t’u zënë me këndet e lojërave, apo për të bllokuar Pazarin e Ri, ishte pak më paqësore,” shprehet Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se pakti opozitar i ngjante më shumë shumë Covid-party sesa një marrëveshjeje me një program të qartë, ku prioritetet e ardhshme të jenë rindërtimi dhe pandemia.

“Flasin për rindërtimin, ndërkohë që jo vetëm kanë shpenzuar financat e tyre për të sponsorizuar liket në Facebook dhe Instagram, por s’kanë dhënë akoma një pako ushqimore, apo të ndihmojnë me një nga vilat e tyre, që i shtuan gjatë kohës së tërmetit. Për sa i përket pandemisë, e patë që vetëm Luli ishte me maskë, të gjithë të tjerët praktikisht e shkatërruan programin e tyre për të luftuar pandeminë një minutë pasi e firmosën. Ishte më shumë një Covid-party”, vijoi ai.

Veliaj gjithashtu tha se shqiptarët duan një alternativë serioze.

“Ai bashkim i fosileve të opozitës, njerëz që kanë që nga viti ’91-’92, duke filluar që me Sali Berishën dhe Ilir Metën, kanë qenë kryeministra, kanë qenë presidentë dhe po u thonë shqiptarëve na lini të kthehemi për herë të tretë, të katërt në vitin e 30-të të ekzistencës së tyre politike,” e përfundoi ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.