Manastirliu: Sot vijnë 15210 doza të vaksinës “Pfizer”

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi në Kuvend se sot do të mbërrijnë 15210 doza të vaksinës “Pfizer”, duke vijuar intensifikimin e procesit të vaksinimit në vend.

Gjatë interpelancës së thirrur në Parlament, ministrja Manastirliu ka bërë një pasqyrim të situatës epidemiologjike në vend.

“Kemi një përhapje dy javore 495 raste për 100 mijë banorë. Shihet dhe vlerësohet një ulje e lehtë krahasuar me dy javë më parë, ku kishim një përhapje prej 525 raste për 100 mijë banorë. Komiteti Teknik i Ekspertëve po analizon në dinamikë situatën epidemiologjike”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se procesi i vaksinimit po vijon sipas planit, ndërkohë që bëri me dije dhe kohën e mbërritjes së vaksinave.

“Po vaksinojmë çdo ditë dhe me ritëm. Mbi 13 mijë janë vaksinimet e kryera përgjatë kësaj periudhe. Sot jemi në pritje të vijimit të sasisë së radhës së kontratës së ‘Pfizer’-it, 15210 doza vaksine do të vijnë në vend. Dhe ne do të vijojmë me intensifikimin e vaksinimit, duke përmbyllur stafet tona mjekësore dhe duke vijuar me vaksinimin e grupmoshës +80. Gjithashtu presim nga instrumenti i COVAX-it të mbërrijnë brenda dy javëve të para të marsit dhe 14400 vaksina të ‘AstraZeneca’, me të cilat do të vijojmë vaksinimin, duke e kombinuar dhe duke pasur prioritet edhe mësuesit, në mënyrë që të vijojmë të kemi një ecuri të mirë në funksion të edukimit të fëmijëve dhe të mbrojtjes së mësuesve”, tha Manastirliu.

Ministrja bëri me dije se po përgatiten dhe ekipe të tjera vaksinatorësh, për t’u shpërndarë në gjithë territorin.

“Po përgatitemi që veç pikave të vaksinimit nëpër qytete që tashmë janë të hapura, si në Shkodër, Vlorë, Korçë, Tiranë edhe Berat, të vijojmë të kemi një prezencë kapilare dhe të infermierëve të rinj, që do të shërbejnë si vaksinatorë në komunitet së bashku me infermierët të forcave të armatosura. Këto skuadra vaksinatorësh në komunitet së bashku me vaksinatorët tanë në të gjithë qendrat shëndetësore do të mundësojnë një ecuri të vaksinimit në popullatë, në momentin që do të vijojmë të kemi furnizime në vazhdim të vaksinave”, tha Manastirliu.

Nga foltorja e Kuvendit, Ministrja e Shëndetësisë ka apeluar sërish qytetarët për bashkëpunim për të kufizuar përhapjen e epidemisë në vend.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.