TIRANË, 1 mars/ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën plenare të radhës, ku është kërkuar nga një grup deputetësh edhe një interpelancë urgjente me kryeministrin.
Po ashtu, në seancën e sotme është planifikuar edhe miratimi i Aktit Normativ “Për disa ndryshime në ligjin nr. 137/2020 “Për buxhetin e vitit 2021”, si dhe miratimi i Aktit Normativ “Për disa shtesa në ligjin nr. 105/2014 “Për barnat dhe shërbimin farmaceutik” të ndryshuar””.
Kuvendi do të votojë sot edhe projektligjin “Për miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë si autoritet kontraktues dhe shoqërive “S2 Albania” shpk dhe “Rapiscan systems” INC “Për një ndryshim në marrëveshjen e konçensionit për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të kontejnerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, miratuar me ligjin nr. 123/2013” të ndryshuar””.
Kuvendi do të miratojë po ashtu edhe projektvendimin “Për zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Drejtues të Radio-Televizionit Shqiptar”, konkretisht për kandidaturat e Gaspër Markut dhe Leka Bungos./m.m/r.e/