Kryemadhi: Marrëveshje historike PD-LSI, zgjerim me figura të reja

TIRANË, 1 mars /ATSH – I. Vata/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi sot se marrëveshja PD-LSI e nënshkruar sot është historike.

E ftuar në një emision televiziv, Kryemadhi tha se marrëveshja është pjesë e axhendës të opozitës së bashkuar kundër regjimit të Edi Ramës.

“Kjo ishte pjesë e gjithë angazhimit dhe gjithë axhendës opozitare që ne kemi organizuar si front opozitar kundër qeverisjes së rilindjes dhe të Edi Ramës. Kjo ka të bëjë me angazhimin e secilit nga ne. Mendoj se sa më shumë burra dhe gra, të rinj e të reja të përfshihen për të qenë përfaqësues në listat e PD-së bashkë me Aleancën për Ndryshimin dhe në listat e Lëvizjes Socialiste për Integrim, e cila ka një identitet tërësisht të sajën, që është parti e qendrës së majtë, ndryshe nga ajo çfarë përfaqëson Partia Demokratike që është e qendrës së djathtë, është një përfshirje dhe një zgjerim i jashtëzakonshëm i shumë figurave të reja dhe njerëzve të rinj që mund të përfshihen në politikë”, u shpreh Kryemadhi.

“Ne do të rakordojmë strategjinë e zgjedhjeve për të përmbysur më 25 prill me votën e shqiptarëve sektin e rilindjes dhe mund të them që firmosja e marrëveshjes së sotme e bëri shumë të qartë që sot  Rama filloi të shijojë ditën e parë të pensionit të tij politik”, tha ajo

Në lidhje me paraqitjen me dy lista në zgjedhje, Kryemadhi tha se “tashmë kjo gjë është e mbyllur. Është shumë e qartë që maksimalizimi i rezultatit të zgjedhjeve është qëllimi kryesor ku shqiptarët të kenë mundësi të përfshihen sa më shumë”.

“Ne mendojmë se në PD ka djem e vajza që mund të përfshihen në listë, ashtu si dhe në LSI, ku ka shumë djem e vajza që mund të ishin pjesë e listës. Duke u bashkuar në një listë u hiqej mundësia e garimit. Sipas kësaj logjike, ne e dimë se edhe shumë kandidatë të partive të tjera nuk kanë shans për të vajtur në parlament dhe e dimë pse dalin në listë, por prapë iu jepet mundësia për të garuar. Njerëzit kanë shanse dhe mundësi të garojnë, shanse të barabarta”, tha ajo.

“Sot është ditë historike. Për herë të parë ndodh një marrëveshje e tillë kaq e madhe, një parti e majtë me një parti të djathtë. Është njëlloj si në ’90”, tha Kryemadhi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.