Komisioneri për Zgjerim: Shqipëria ka plotësuar çdo kusht, gati për konferencën e parë ndërqeveritare

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Olivér Várhelyi deklaroi sot se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp nga Brukseli me Kryeministrin Edi Rama dhe Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë / zëvendëspresident i Komisionit, Josep Borrell, Várhelyi tha se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Shqipëria është ai vend i cili, jo vetëm që ka vuajtur me pandeminë, por përpara pandemisë iu desh që të përballej edhe me një tërmet të fortë, kështu që sfidat janë të jashtëzakonshme në Shqipëri dhe ndoshta janë dhe më shumë në numër sesa gjetkë në rajon. Dhe vazhdojnë të jenë të tilla edhe sot. Dhe ne sot megjithatë vazhdojmë të shikojmë që Shqipëria po jep rezultate dhe po mban premtimet që ka bërë dhe po përmbush kriteret që duheshin përmbushur për atë Konferencë të Parë Ndërqeveritare”.

“Kjo është një gjë shumë e rëndësishme dhe duhet ta themi këtë gjë që të jepet një sinjal shumë i qartë që jo vetëm Shqipëria ka mundur ta bëjë këtë gjë, por edhe ka dhënë rezultate qoftë për shtetin e së drejtës apo në fusha të tjera. Pra ta përçojmë këtë mesazh për sundimin e ligjit, për Reformën në Drejtësi. Këto ishin natyrisht çështjet kyçe”, u shpreh Várhelyi.

“Dua të përsëris edhe atë që është thënë në këtë vlerësim të përbashkët që në procesin e vettingut, meqënëse ai po ecën fuqishëm, me Gjykatën Kushtetuese, me Gjykatën e Lartë po ashtu tashmë kemi arritur pra aty ku duhet. Kështu që nga ana jonë vlerësimi që ne po u japim shteteve anëtare të BE-së është që gjithçka është përmbushur tashmë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, pra të gjitha kriteret”, tha Várhelyi.

Nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama, deklaroi se “jam shumë i lumtur të dëgjoj drejtpërdrejt nga ju këtu atë që kemi dëgjuar në rrethana të ndryshme, që Shqipëria ka bërë gjithçka që duhej të bënte për çeljen e Konferencës së parë Ndërqeveritare”.

“E di si shkojnë gjërat. Mund të ndodhë, mund të mos ndodhë, por gjëja më e rëndësishme për ne është që ne e kemi bërë punën tonë dhe jemi përherë shumë të vëmendshëm të dëgjojmë Komisionin, sepse është mekanizmi më i lartë vlerësues mbi bazat faktike të progresit të një vendi”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri theksoi se, “ne vlerësojmë shumë përpjekjet e bëra nga Komisioneri për të qenë në anën tonë në këtë moment kaq delikat kur ne, Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit, u lanë mënjanë në shpërndarjen e vaksinave”.

Kryeministri tha se, “ishte një moment tronditës për njerëzit tanë, pasi siç e dini, siç e dimë të gjithë, ne nuk jetojmë në kufi me BE, por ne jetojmë brenda BE-së, jemi të rrethuar në rajonin tonë me kufijtë e BE-së. Duke pasur dhe ne të moshuarit, të sëmurët tanë, njerëzit tanë të cilët e ndjenë që vaksinat nuk ishin diçka që meritonin të kishin në të njëjtën kohë me të tjerët, ishte një gjë e keqe shumë”.

Megjithatë, Kryeministri theksoi se të gjithë e dimë se si shkoi kjo gjë. “Sot ka 140 vende që nuk kanë nisur asnjë injeksion, sot ka 10 vende që kanë 70 % të prodhimit. Është e vështirë jo vetëm për ne, por edhe për shumë anëtarë të BE-së. Shpresoj fort që kjo situatë do të zhbllokohet”, tha Rama.

Ai tha se COVAX po nis më në fund t’u japë vendeve dozat e para dhe do të jemi shumë të lumtur të marrim dërgesën e parë të “AstraZeneca”, ndërkohë që po punojmë shumë fort për të rritur kapacitetet, edhe pse nuk qe zgjedhja jonë më e mirë, por shohim përtej burimeve të dëshirueshme të vaksinave.

Rama tha po ashtu se shpreson shumë fort “që plani për investimin në Ballkan, i prezantuar vitin e kaluar nga Várhelyi dhe tashmë po vihet në lëvizje, është një instrument jashtëzakonisht i dobishëm për të forcuar bashkëpunimin tonë, për ta bërë të ardhmen tonë më të sigurt dhe më të mirë, ndërkohë që ne luftojmë për procesin e integrimit”.

“Ne nuk i bëjmë këto reforma se na i kërkoni ju. Për ne këto reforma janë ajo që u detyrohemi fëmijëve tanë, brezave që vijnë. Në këtë mënyrë BE është një bekim për të ardhmen e njerëzve tanë. Mund të duket sikur është mallkim në rrethanat aktuale, por në fakt nuk është mallkim, është një dhimbje me të cilën ne duhet të merremi në emër të së ardhmes. Nuk ka asgjë në të ardhmen tonë që të mund konkurrojë a të krahasohet me BE-në”, tha ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.