“Inkurajuam autoritetet shqiptare të vijojnë përpara”/ Várhelyi: Ecuri e prekshme në zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit

TIRANË, 1 mars/ATSH/ Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Várhelyi tha sot se Bashkimi Europian e shikon plotësisht funksionale Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri, ndërsa pret që para zgjedhjeve të 25 prillit të mund të emërohen dhe 2 gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.

“Ne e konsiderojmë Gjykatën Kushtetuese plotësisht funksionale. Ka tashmë numrin e nevojshëm të gjyqtarëve për të mbajtur seancat dhe për të marrë të gjitha vendimet. Na mungojnë edhe 2 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe me sa kuptoj, zgjedhja e tyre është në rrugë e sipër dhe shpresoj vërtet që para zgjedhjeve do t’i shohim edhe këto emërime të përfunduara. Kjo do të përmbushte të gjitha kushtet që i kemi vendosur Shqipërisë për konferencën e parë ndërqeveritare”, tha Komisioneri.

Ai vlerësoi po ashtu edhe përparimin e Shqipërisë në ngritjen e agjencive përkatëse për goditjen e korrupsionit.

“Shqipëria po bën një përparim të qëndrueshëm dhe sa i takon ngritjes së agjencive përkatëse për goditjen e nivelit të lartë të korrupsionit. Mbi bazën e kësaj ne arritëm të bindnim shtetet anëtare në mars për çeljen e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë. Nuk ka dyshim që tashmë duhet të shohim emërimet, duhet të shohim funksionimin e këtyre organizmave dhe të përmbushin detyrat për të cilat ato janë përgjegjëse”, tha ai.

Sipas tij, rivlerësimi i gjyqtarëve duhet të vazhdojë dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike e krimit të organizuar.

“Kjo ka qenë qasja e këtij Komisionit. Na duhet të bëjmë përparim në terren dhe ne do të këmbëngulim për këtë gjë”, tha komisioneri Várhelyi.

Varhelyi u ndal edhe te zbatimi i marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE-së.

“Diskutuam dhe bëmë një bilanc dhe të zbatimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Shqipërisë dhe BE, dhe aty ecuria është e prekshme, është e dukshme dhe me kënaqësi kemi vënë re sesi është vënë në zbatim kjo marrëveshje dhe sesi duke vënë në zbatim këtë marrëveshje kjo gjë na ka sjellë ne më afër në ekonomi e në shoqëri”, theksoi Várhelyi.

Sa i përket zgjedhjeve, ai u shpreh se, “ne e dimë që Shqipëria së shpejti do të ketë zgjedhje parlamentare dhe kemi folur natyrisht edhe për këtë çështje. Ne shprehëm shpresën që zgjedhjet do të jenë të lira dhe të ndershme dhe që ne do të kemi edhe atë provën e parë të themi të funksionimit të demokracisë shqiptare dhe që pas zgjedhjeve shumë shpejt të vazhdojmë punën që është bërë”.

Varhelyi theksoi se, “ne inkurajuam Shqipërinë dhe autoritetet shqiptare që të mos ndalojnë së punuari edhe gjatë fushatës apo edhe kur punojnë për fushatën, sepse arritja e rezultateve dhe mbajtjes së premtimeve në terren ka qenë shumë e rëndësishme për të bindur shtetet anëtare për të mbështetur çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Prandaj kjo mbështetje do duhet të vazhdojë dhe ne inkurajuam autoritetet shqiptare që të vazhdojnë të ecin përpara sa më shumë që të jetë e mundur pavarësisht zgjedhjeve që do të kemi në prill”.

Lidhur me blerjen e votës, Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Várhelyi tha se ne po i afrohemi zgjedhjeve që janë përgatitur në një mënyrë mjaft tërësore.

“Së pari, kemi patur një marrëveshje midis partive parlamentare dhe partive jashtëparlamentare për reformën zgjedhore. Ky është një element i ri, krahasuar me zgjedhjet e mëparshme, dhe kjo sjell garanci sa u takon parregullsive të mëparshme dhe blerjes së votës në procesin e votimit”, u shpreh ai.

“Së dyti, kjo reformë qe në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR, ku është trajtuar si një çështje madhore. Ndaj besojmë se nga pikëpamja legjislative kjo është trajtuar. Më pas kjo u vijua nga opinioni i Komisionit të Venecias, të cilin qeveria dhe opozita ranë dakord ta zbatonin plotësisht dhe kjo është një shtresë tjetër garancie për të shmangur këto parregullsi. Ndërkohë, shtresa e tretë e garancisë, sipas mendimit tim është pjesëmarrja e vëzhguesve në zgjedhje. Janë ftuar vëzhguesit. Për shkak të COVID-19 nuk është e lehtë, por nga ana jonë do të ndihmojmë që vëzhguesit të vijnë. Me këto elementë besoj se ofrohen garanci të mjaftueshme në sistem. Nga ana jonë ne duam që ligji të zbatohet me fuqi të plotë dhe duam të shohim që të gjitha përpjekjet bëhen nga ana e organizatorëve të zgjedhjeve kundër blerjes së votës”, vuri në dukje ai. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.