Celibashi thirrje subjekteve zgjedhore: Dorëzoni brenda afateve dokumentacionin e kandidimit

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi u ka bërë thirrje sot subjekteve zgjedhore të dorëzojnë brenda afateve dhe jo në momentin e fundit dokumentacionin e kandidimit.

Ai ka kërkuar që subjektet zgjedhore të vlerësojnë situatën e pandemisë dhe t’i japin mundësi administratës së KQZ të përpunojë/administrojë dokumentacionin në përputhje me protokollet shëndetësore.

“Ju bëj thirrje subjekteve zgjedhore të dorëzojnë brenda afateve dhe jo në momentin e fundit dokumentacionin e kandidimit. Të vlerësojnë situatën e pandemisë dhe t’i japin mundësi administratës së KQZ të përpunojë/administrojë dokumentacionin në përputhje me protokollet shëndetësore”, ka theksuar sot Celibashi në një reagim.

Ai ka rikujtuar një reagim të datës 27 shkurt, kur është shprehur, “mbeten dhe pak ditë nga data 8 Mars, që është edhe afati i fundit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputet për çdo qark. Inkurajoj partitë politike të zgjedhin kandidatura me integritet dhe që plotësojnë kriteret ligjore për të qenë përfaqësues të shqiptarëve”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta përmes një reagimi ka mbështetur plotësisht thirrjen e Celibashit drejtuar partive politike për të dorëzuar brenda afateve listat e kandidatëve.

“Mbështes plotësisht thirrjen e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, drejtuar partive politike, për të dorëzuar brenda afateve listat e kandidatëve. Sa më shumë parti, sa më shumë zgjedhje të ndryshme për qytetarët, sa më shumë kandidatë me integritet të lartë moral e qytetar dhe të pakapur nga dekriminalizimi, do të thotë më shumë mundësi për një pjesëmarrje historike në referendumin e 25 prillit për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, shprehet Meta.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.